Kryeministri Edi Rama në konferencë për shtyp në përmbyllje të vizites zyrtare në Prishtinë përcolli apelin për bashkim mes shqiptarëve
“Procesi i pajtimit nuk është vetëm ballafaqimi me të shkuarën, apo me drejtësinë. Komunikata e Prokurorisë Speciale, që për mua është si fletërrufe si e ato e revolucionit kinez, si shfaqje të jetuara në Shqipërinë e diktaturës është e pashembullt dhe e kombinuar në momentin e publikimit të saj përbën një arsye, pavarësisht nëse është i rastësishëm apo i qëllimshëm, në prag të një takimi në Shtëpinë e Bardhë, për të thënë se historia e kësaj Gjykate Speciale të radhës nisi të shkruhet me një akt që abortoi një proces politik që lidhet me paqen,” tha kryeministri shqiptar.
“Më vjen sinqerisht keq kur shoh në reagime të ndryshme, në nivel qytetar, se si helmi i jetës së përditshme politike ka penetruar në bazën e politikës kombëtare, që janë qytetarët, dhe ndikon që të moskuptohet, e të deformohet thelbi i shqetësimit që sot duhet të kemi si komb nuk lidhet as me dy persona as me karrierat e tyre politike, as me të mirat,” shtoi ai.
Kryeministri shqiptar e largoi thelbin e debatit nga dy të akuzuarit e Prokurorisë Speciale, duke thënë se lidhet me një prej vlerave më të rëndësishme të popullit shqiptar, asaj të luftës për liri.
I pyetur nëse kishte ia kishte dalë të bënte bashkë krerët e politikës në Kosovë, kryeministri Rama u përgjigj se nuk kishte shkuar në Kosovë për të bashkuar partitë politike në një tryezë dhe e cilësoi atë një kapërcim të kuadrit etik të një kreu shteti.
“Shqipëria e ka detyrim të mbështesë Kosovën pa kushte dhe cilido që është në rolin e kryetarit të qeverisë në Shqipëri duhet të jetë mishërim i këtij detyrimi,” deklaroi z. Rama.
Kryeministri Edi Rama iu pëgjigj dhe akuzave të Vetëvendosjes se vizita e tij në Kosovë është peligrinazh në mbrojtje të presidentit Hashim Thaci
“Zërat vijnë e shkojnë historia nuk duhet të jetë subjekt i përpjekjes për ta shkruar apo rishkruar në zëra që vijnë e shkojnë por që të jem i drejtëpëdrejtë ne nuk kemi ardhur këtu si grupi i avokatëve të Hashim Thaçit apo Kadri Veselit. Nuk kemi ardhur as ti qëndrojmë pranë moralisht atyre, por besoj se jemi në një moment kritik që mund të ketë konseguenca të rënda për Kosovën nëse në këtë moment nuk ndahet qartë drejtësia me padrejtësinë. Reagimi im në Kuvend dhe ardhja ime këtu nuk nënkupton asnjë lloj përpjekjeje dhe asnjë lloj mendimi për të vënë në pikëpyetje domosdoshmërinë e ballafaqimit me drejtësinë. Fjala ime në Kuvend dhe ardhja ime këtu lidhet me padrejtësinë.
Rama në krah të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Ramush Haradinaj
“Ajo çka sot duhet kujtuar me forcë është se pa këta emra të përvecëm dhe të tjerë bashkë me këta, sot ne mund të mos kishim sa Kosovën e pavarur e shtet Sovran dhe jo më dy shtëpi.”
Edi Rama: Pas 24 oresh di me shume seç dija me pare
“Pas 24 orësh di më shumë seç dija para 24 orësh për situatën. U takon udhëheqësve këtu të marrin vendimet dhe të zhvillojnë proceset e nevojshme sipas tyre. Unë nuk fsheh që kam opinione por ato janë opinione të një vëllai që jeton në shtëpi tjetër. Jemi dy vëllezër por me dy shtëpi, ky është problem por dhe privilegj.”
Nuk marr persiper rolin e mentorit
Kryeministri Edi Rama pati takime të veçanta me secilin prej politikanëve në Kosovë, dhe pyetja e një gazetareje ishte: A nuk ia dolët ti bëni bashkë krerët e politikës shqiptare
Edi Rama: “Nuk është detyra ime. Do të ishte kapërcim i kuadrit etik brenda të cilit duhet të veprojë një kryeministër i Shqipërisë kur vjen fjala për Kosovën. Shqipëria e ka detyrim të mbështesë Kosovën pa kushte. Shqiperia as nuk e ka dhe as nuk do ta marrë përsipër detyrën e kujdestarit, tutorit apo mentorit qe nga lart i tregon udheheqesise se Kosoves se çfarë duhet të bëjë.
Fletërrufeja shkaktoi krizë disaplanëshe
Edi Rama: Komunikata e ashtuquajtur fletërrufe e ngjashme me komunikatat përgjatë revolucionit kinez është e pashembullt dhe e kombinuar me momentin e publikimit të saj përbën një arsye pavarësisht nëse publikimi i saj është i rastësishëm apo i qëllimshëm në prag të një takimi në Shtëpine e Bardhë, për të thënë që historia e gjykatës special nisi të shkruhet me një akt që abortoi një process që lidhet me paqen.
Është momenti kur kemi një krizë disaplanëshe të shkaktuar nga kjo fletërrufe por kemi mundësi të vëmë në pah vlerat e luftës.