Kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi janë shfaqur sot në krahë të njëri-tjetrit. Ka qenë ceremonia e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të atdheut që i ka bërë bashkë 3 liderët politikë shqiptarë.
Një e nga një, fillimisht presidenti Ilir Meta, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryeministri Edi Rama kanë vendosur kurora me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”.
Të vetëm, duke ruajtur distancimin social, pa shtrëngime duarsh, krerët e institucioneve më të larta të vendit kanë përkujtuar në këtë ditë dëshmorët e rënë në luftë.
Më herët nderimet tek memoriali “Nënë Shqipëri” i ka kryer edhe kreu i demokratëve Lulzim Basha, i cili vendosi një kurorë me lule edhe në nderim të 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga diktatura komuniste pas bombës në ish ambasadën sovjetike, në simbol të nderimit të opozitarizmit dhe shprehjes së lirë.