Kryeministri Edi Rama mikpriti sot kryeministrin e Shtetit të Lirë të Bavarisë Markus Söder, i cili viziton për herë të parë Shqipërinë, në përgjigje të ftesës së Kryeministrit Rama.
Kryeministri Rama dhe kryeministri Soder zhvilluan një takim bilateral në Sallën e Hartave në Kryeministri, gjatë të cilit, Kryeministri Rama e vlerësoi vizitën e Kryeministrit bavarez si një moment të rëndësishëm, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bavarisë për thellimin e bashkëpunimit, përmes shfrytëzimit sa më të mirë të potencialeve që ekzistojnë mes vendeve, në fusha të ndryshme.
Homologët dakordësuan se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bavarisë, kanë njohur zhvillime të rëndësishme gjatë këtyre 3 dekadave, si në planin politik, ekonomik, arsimor – kulturor, etj.
Kryeministri Rama i shprehu kryeministrit bavarez Söder mirënjohjen, në emër të qeverisë shqiptare për mbështetjen e vendosur që Bavaria dhe personalisht kryeministri Söder si lider i CSU në Bavari, i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE, si në Bundestag, ashtu edhe në të shkuarën për shumë vite në koalicionin qeverisës.
Kryeministri Rama dhe kryeministri bavarez Söder theksuan në takim, mbështetjen për Procesin e Berlinit dhe diskutuan mënyrat e një angazhimi më konkret në kuadër të këtij procesi, duke synuar një vëmendje më të madhe të investitorëve gjermanë në fushat me rëndësi strategjike të ekonomive të dy vendeve.
Kryeministri Rama konstatoi se ka një interesim gjithnjë e më të madh nga ana e kompanive bavareze për të investuar në Shqipëri, gjë të cilën e konfirmon edhe prania e përfaqësuesve të rëndësishëm të biznesit bavarez në përbërjen e delegacionit që shoqëron kryeministrin Söder.
Pas takimit, kryeministri Rama dhe kryeministri i Bavarisë firmosën një sërë marrëveshjesh të përbashkëta, qëllimi i së cilave është ngritja e mekanizmave të përshtatshme, të cilat do të identifikojnë dhe ndihmojnë në implementimin e projekteve konkrete në fusha të tilla si: energjia, infrastruktura, turizmi, tregtia, bujqësia, mjedisi, shëndetësia etj.
Bashkëpunimi konsiston në ndarjen e praktikave më të mira, në asistencë teknike, shkëmbim ekspertësh, studiuesish dhe specialistësh, organizimin e ekspozitave, seminareve dhe konferencave, si dhe mbështetjen për krijimin ose përmirësimin e qendrave kërkimore.
Marrëveshjet e arritura sot do të shërbejnë si ura të reja bashkëpunimi mes dy vendeve, në vazhdën e një tradite të themeluar prej atit të Bavarisë moderne Franz Josef Strauss.
Kryeministri Rama në fjalën e tij pas nënshkrimit të marrëveshjeve vlerësoi rolin e Shtetit të Lirë të Bavarisë, sidomos në proceset integruese të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.