Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka porositur dy partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike, se nëse heqin taksën 100 për qind ndaj Serbisë siç kanë paralajmëruar, do kryenin vetëvrasje politike.
Në një intervistë për medien kosovare, Ekonomia Online, Haradinaj tha të dielën se nisma e dy partive do të dobësonte pozitat negociuese për njohjen dhe do sillte pushtimin ekonomik të vendit.
Një vendim tjetër që Haradinaj e konsideron të paprekshëm është ai për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, për të cilën Vetëvendosja dhe LDK-ja kanë njoftuar shkurtim të buxhetit me të ardhur në qeveri.
Kreu i ekzekutivit thekson se retorika politike dhe çdo pretendim për shtrenjtësi apo keqpërdorim fondesh duhet të adresohet në institucionet përkatëse.
Komentet e kryeministrit vijnë në kohën kur mediet vendëse raportojnë se qeveria e tij ka abuzuar me financat shtetërore duke shpenzuar të gjithë fondin rezervë të buxhetit në vlerën 6 milionë euro.
Qeveria shpjegon se mjetet financiare në këtë mandat dyvjeçar janë shpërndarë për rastet e katastrofave natyrore apo së fundmi për tërmetin tragjik në Shqipëri, në përputhje me ligjin.