Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përsëriti të hënën se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një temë tashmë e mbyllur.
“Ajo temë nuk hapet, sepse është përmbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 [midis Kosovës dhe Serbisë], e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, dhe pastaj është marrëveshja e parimeve e vitit 2015”, tha Hoti.
Hoti i bëri komentet në një konferencë për media në Prishtinë, në ditën kur është dashur të mbahet një raund i ri i dialogut Kosovë-Serbi, në nivel ekspertësh, por që është shtyrë, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët evropianë, situatës së krijuar me koronavirus.
Derisa Kosova thotë se nuk dëshiron ta hapë çështjen e Asociacionit, Serbia insiston që të bisedohet për të.
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lakçak, ka thënë se Asociacioni “duhet të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse”.
Krijimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
“Kemi treguar gjithë konstruktivitetin e nevojshëm për ta çuar përpara këtë proces [të dialogut], që është me rëndësi për Kosovën, për Serbinë dhe për rajonin”, tha Hoti.
Ai po ashtu tha se koalicioni akual qeverisës në Kosovë është duke funksionuar dhe se qeveria e tij është stabile.
“Nuk shoh arsye që të hymë në kombinime të tjera”, tha Hoti, pasi u pyet nga gazetarët për përfshirjen e mundshme të Partisë Demokratike të Kosovës në qeveri.
Në fundjavë, mediat në Kosovës kanë raportuar se Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – parti nga e cila vjen Hoti – ka folur për heqjen e “vijave të kuqe” ndaj PDK-së së udhëhequr nga Kadri Veseli.
Mustafa është raportuar të ketë thënë se, në kohën kur Kosova po ballafaqohet me akuzat e Gjykatës Speciale, bisedimet me Serbinë dhe pandeminë COVID-19, është e pakuptimtë të mos kërkohet bashkëpunim në skenën politike.
Ndaj Veselit dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi – që të dy ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – është paraqitur një aktakuzë për krime lufte në Gjykatën Speciale në Hagë, por ajo nuk është konfirmuar e as hedhur poshtë ende.
Koalicioni aktual qeverisës në Kosovë përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe partitë e pakicave.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, “mund ta gënjejë publikun sa të dojë”, por ai “nuk do t’i ikë” krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Ai [Hoti], në takimet në Bruksel, këndon këngë tjetër dhe jo vetëm që premton se do ta mundësojë formimin e Asociacionit të komunave serbe, por edhe garanton autorizime shtesë për të”, tha Gjuriq në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.
Gjuriq, i cili është edhe udhëheqës i delegacionit të Serbisë në bisedimet në nivel ekspertësh me Kosovën, tha se Hoti duhet të ndërmarrë urgjentisht hapa për të formuar Asociacionin, pas një vonese shtatëvjeçare.
Formimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Derisa Kosova insiston tani se nuk dëshiron ta hapë më çështjen e Asociacionit në bisedimet me Serbinë, kjo e fundit kërkon që të bisedohet për të.
Edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lakçak, ka thënë se Asociacioni “duhet të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse” midis Kosovës dhe Serbisë.