Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Tiranë me krerët e shtetit të Shqipërisë, për t’i informuar lidhur me Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.
Kurti u takua me presidentin shqiptar, Bajram Begaj, kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, dhe kryeministrin Edi Rama, i cili e priti në vilën qeveritare numër 30 në zonën e ish-bllokut.
Kreu i Qeverisë shqiptare theksoi në rrjetet sociale se e inkurajoi kryeministrin Kurti “në hedhjen e hapave të mëtejshëm si për garantimin e komunave serbëve në kornizën e Asociacionit, që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë”.
Rama tha se në këtë proces, Kurti ka mbështetjen e tij të plotë.
Kreu i Qeverisë shqiptare po ashtu bëri të ditur se me homologun kosovar janë pajtuar që mbledhja e ardhshme e dy qeverive do të mbahet në qershor.
Në takim me Begajn, sipas një njoftimi për media nga zyra e Kurtit, kryeministri kosovar tha se e ka njoftuar kreun e shtetit shqiptar për marrëveshjen e arritur me Serbinë më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut “dhe për qasjen konstruktive që Kosova ka ndjekur në këtë takim, por edhe gjatë gjithë procesit”.
Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, më 18 mars arritën marrëveshje për Aneksin e zbatimit të propozimit evropian.
Paraprakisht, më 27 shkurt palët arritën marrëveshje për propozimin evropian, apo siç njihet ndryshe edhe si Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve.
Kjo marrëveshje synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme.
Edhe presidenti Begaj ka vlerësuar se Marrëveshja e Ohrit “është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian”. Kreu i shtetit shqiptar ka kërkuar që të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.
Ndërkaq zyra e Kuvendit të Shqipërisë thanë se kryeparlamentarja Lindita Nikolla theksoi se “do të vijojmë të lobojmë për njohjet e reja ndërkombëtare, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, OKB dhe organizatat ndërkombëtare”.
Marrëveshja drejt normalizimit, e përbërë nga 11 nene, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Po ashtu Kryeministri Kurti ka takaur dhe opoziten shqiptare, konkretisht nje takim ka patur me Kryetarin e patise se Liris, Z.Ilir Meta.
“Pata kënaqësinë të prisja në një takim vëllazëror në selinë e Partisë së Lirisë, Kryeministrin e Kosovës, z. Albin Kurti. E vlerësoj progresin e jashtëzakonshëm të Kosovës në forcimin e shtetit të së drejtës, llogaridhënies, zgjedhjeve të lira e të ndershme, luftës kundër korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik e social. Mbështes qëndrimet konstruktive të Qeverisë së Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë sa i përket normalizimit të marrëdhënieve, që çon drejt njohjes reciproke mes dy vendeve fqinje.
“Gjatë këtyre takimeve theksova dy gjëra kryesore. E para është suksesi dhe progresi demokratik e ekonomik i Kosovës në këto 2 vite të qeverisjes tonë, që është një progres i pashembullt në Kosovën e pavarur. Në anën tjetër i informova për detajet e përmbajtjes së marrëveshjeve që kemi realizuar së pari në Bruksel dhe më pas edhe ankesin e zbatimit në Ohër, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Dëshirova që t’i njoftoj për së afërmi, dhe në hollësi me procesin e dialogut, por edhe me elementët përbërës të marrëveshjes që tani duhet të zbatohet”, tha Kurti në një prononcim për medie.
Kurti theksoi se krerët e shtetit shqiptar e kanë mbështetur për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e arritur, ndërsa tha se Shqipëria është gjithmonë pranë Kosovës dhe këtë e dëshmon si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në marrëdhëniet bilaterale.