Institucionet kosovare po përgatiten për organizimin sa më të mirë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore me shumicë serbe; Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, më 23 prill, .
Për këtë kryeministri Kurti në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës Kurti, tha se janë ndarë mjetet e nevojshme për këtë proces dhe se askush nuk duhet dhe nuk mund të cenojë të drejtën e qytetarëve për të zhvilluar një proces të rregullt zgjedhor, derisa u bëri thirrje serbëve që të dalin sa më shumë në këto zgjedhje.
Ai ka thënë se ministrat e linjave kanë bërë të gjitha përgatitje që zgjedhjet në veri të shkojnë sa më mirë. Por kreu i ekzekutivit ka thënë se është i vetëdijshëm që zgjedhjet në veri janë ndryshe nga komunat e tjera.
“Jemi të vetëdijshëm se zgjedhjet atje nuk janë të njëjta si në komunat shqiptare, pasi obstruksionet e Serbisë janë më të mëdha, edhe në aspektin mediatik edhe në mbetjen e strukturave paralele”, u shpreh Kurti.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit u shpallën për 23 prill, pasi kryetarët e partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe, dhanë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të konvertimit të targave ilegale të automjeteve, të lëshuara nga Serbia.
Zgjedhjet në këto katër komuna u paralajmëruan se do të mbahen më 18 dhjetor të vitit 2022 por u shtynë me kërkesë të bashkësisë ndërkomëbtare.
Afati për paraqitjen e kandidaturave në këto zgjedhje skadoi më 22 mars, ndërsa anëtarët e Listës Serbe nuk kanë aplikuar për të marrë pjesë në to.