Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka filluar vizitën dyditore të punës në Bruksel, gjatë së cilës është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sipas njoftimit qeveritar, në takimin në selinë e NATO-s në Bruksel, morën pjesë edhe ministri i Jashtëm Bujar Osmani dhe ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska.
Pas këtij takimi, Kovaçevski dhe Stoltenberg mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Kovaçevski shprehu kënaqësinë që në vizitën e tij të parë në Bruksel ka pasur mundësinë të vjen në NATO dhe të takohet me Stoltenbergun.
“Anëtarësimi në NATO është përmbushje e qëllimit tonë strategjik dhe jam vërtet i nderuar që jam këtu në selinë e NATO-s. Të jesh pjesë e NATO-s do të thotë siguri dhe prosperitet për vendin tim dhe popullin maqedonas”, tha Kovaçevski.
Sipas tij, politika e dyerve të hapura i mundësoi Maqedonisë së Veriut të arrijë qëllimin e saj të madh të suksesit të sigurisë, për Maqedoninë e Veriut dhe NATO-n, duke u bërë anëtarja e 30-të e Aleancës Veriatlantike.
Ai tha se kjo arritje është dëshmi e zgjedhjes së tyre të lirë dhe sovrane si dhe një garanci e stabilitetit dhe sigurisë së tyre kombëtare dhe rajonale në Ballkanin Perëndimor.
“Sot, ne jemi krenarë që jemi ndër aleatët më të shpejtë që ka përfunduar integrimin ushtarak në NATO, veçanërisht pasi mbetemi të përkushtuar për të marrë pjesë në operacionet dhe misionet e NATO-s”, tha ai.
Kovaçevski theksoi se me Stoltenbergun kanë biseduar për situatën në dhe rreth Ukrainës, e cila, sipas tij, paraqet kërcënim për sigurinë evropiane dhe ndërkombëtare.
“Si aleat i NATO-s, ne i bashkohemi thirrjeve ndaj Rusisë për të de-eskaluar dhe rifilluar dialogun diplomatik. Ne mbështesim propozimin e NATO-s për takime tematike me Rusinë për gjendjen e marrëdhënieve, sigurinë evropiane me fokus Ukrainën dhe transparencën, reduktimin e rrezikut dhe kontrollin e armëve. Ne mbështesim plotësisht sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin e saj territorial brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”, shtoi Kovaçevski.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se NATO është aleancë kolektive e mbrojtjes, e cila i afron Evropën dhe Amerikën e Veriut në këtë krizë.
“Si aleatë, ne jemi të fortë, të vendosur dhe të bashkuar në reagimin tonë. Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj Marrëveshjes themeluese të Washingtonit të NATO-s dhe ndaj vlerave dhe parimeve themelore të Aleancës”, tha Kovaçevski.
Në njoftimin qeveritar thuhet se në takim u potencua se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO ka kontribuar në stabilitetin rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe se është bërë përparim i madh në bashkëpunim me fqinjët tanë dhe veçanërisht me aleatët në Aleancë.