Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paraqitur pesë pika për shtensionimin e situatës në veri të vendit, përfshirë zgjedhjet e reja të parakohshme në komunat në veri dhe takimin e udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë gjatë kësaj jave në Bruksel, e për të cilat ka thënë se pret një përgjigje nga Brukseli.
Kurti në konferencën për media, të mbajtur pas takimit me përfaqësues të shteteve të QUINT-it, u shpreh se nga Brukseli pret po ashtu që të vlerësojnë gatishmërinë e plotë të institucioneve të Kosovës për shtensionimin e situatës në veri të vendit, dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se gjatë të hënës ka pasur disa biseda telefonike me ndërkombëtarët, dhe se Kosova është e interesuar që të gjendet një zgjidhje për shtensionim të situatës.
“Unë i kam ofruar dje z. Borrell dhe sot vendeve të QUINT-it, një listë me hapa konkret që i kontribuojnë direkt dhe menjëherë depërshkallëzimit të situatës dhe kthimit në dialog… E para pikë në letrën time drejtuar z. Borrell pas telefonatës është sundimi i ligjit në komunat në veri të Kosovës, duke përfshirë ndër të tjera identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve që kanë sulmuar Policinë e Kosovës, pjesëtarët e NATO-s dhe gazetarët. Eulexi është i ftuar të monitorojë drejtpërdrejt thelbin e proceseve gjyqësore të lidhura me gjykimin. Pika e dytë, grupet e dhunshme tërhiqen menjëherë nga institucionet e Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal ndaj institucioneve të Kosovës. Në bazë të parimit të proporcionalitetit, prania e Policisë së Kosovës në komunat në veri do të zvogëlohet në përputhje me rrethanat. Tre, Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i do të kryjnë çdo 15 ditë vlerësime të përbahskëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe”, tha ai.
E në mesin e pikave janë edhe koordinimi me akterët për zgjedhjet parakohshme në komunat në veri të vendit, si dhe takimi i nivelit të lartë Kosovë – Serbi. Për këtë të fundit, kreu i ekzekutivit tha se duhet të mbahet këtë javë në Bruksel.
“Katër, Qeveria e Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do të shpallë zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri, në një atmosferë zgjedhore të lirë, demokratike dhe të papenguar liberale. Dhe, pesë, Kosova dhe Serbia kthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. BE siguron një plan të mirë, të balancuar për zbatimin e marrëveshjes bazike (Bruksel 27 shkurt), dhe aneksit të saj (Ohër 28 mars). Udhëheqësit e dy shteteve takohen në një nivel të dialogut të lartë në Bruksel gjatë kësaj jave”, vijoi ai.
Kurti ka theksuar se Lulëzim Hetemi nuk ka qenë fare e menduar se do të bëhet kryetar i Leposaviqit, porse ishte pikërisht presioni i Beogradit që bëri që kandidati serb Aleksandër Jabllanoviq të tërhiqet nga gara.
Ai ka thënë se në të ardhmen do të ketë koordinim me akterët për zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit, në mënyrë që të mos ketë një “dështim të ri”.
Plani pesëpikësh i Kurtit:
1. Sundimi i ligjit në katër komunat veriore dhe identifikimi dhe ndjekja e atyre që kanë sulmuar policinë, KFOR-in dhe gazetarët;
2. Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës;
3. Policia e Kosovës, KFOR dhe EULEX të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë;
4. Qeveria e Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore, që do të mbahen në atmosferë të lirë dhe demokratike dhe
5. Kosova dhe Serbia kthehen menjëherë në dialog në të cilin BE-ja siguron zbatimin e marrëveshjes së arritur si dhe në javën që vjen të organizohet takim i nivelit të lartë.
“Kjo është oferta ime bazuar në obligimet dhe përgjegjësitë që kam unë dhe pres një përgjigje e një diskutim të mëtutjeshëm me Brukselin për këtë gjë… Presim që z. Borrell ta vlerësoj gatishmërinë tonë edhe për vlerësim të përbashkët të sigurisë në veri, edhe për mbajtjen e zgjedhjeve atje. Unë nuk kam thënë se ‘ unë po e caktoj datën’ por do t’i konsultojë akterët. Nuk kemi nevojë edhe për një nxitim që na sjellë në një dështim të ri. Kemi nevojë që procesi i ardhshëm jo vetëm të jetë i lirë, por të tillë ta ketë edhe fushatën zgjedhore”, tha ai.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se është e rëndësishme të kujtohet drejt se janë dy faktorë të të eskalimit të situatës në veri, e që të dy burojnë nga Beogradi zyrtar.
“Është me rëndësi të kuptojmë drejt se deeskalimi i situatës në veri vjen si pasojë e bojkotimit të zgjedhjeve të partive serbe nën urdhrat e Beogradit, përkundër shtyrjes së zgjedhjeve dhe afateve për regjistrim, kurse në anën tjetër , si pasojë e pranisë së elementeve kriminale në listat e pagesave të Beogradit poashtu. Pra, janë këta faktorë të cilët janë burim i tensionit të vazhdueshëm”, tha ai.
Kurti ka përsëritur edhe njëherë se vendimet e institucioneve të Kosovës në veri të vendit nuk kanë çuar në deeskalim të situatës në veri të vendit.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se kjo ofertë është në bazë të obligimit që ka si kryeministër dhe pret përgjigje nag Brukseli për këtë çështje. Kurti tha se ka pasur kërcënime nga Beogradi dhe serbët lokal të tërhiqen nga gara për zgjedhjet e fundit në veri.
Kurti: Rama e ka obligim të mbrojë shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar propozimin e Edi Ramës për draft-statusin.
Kurti ka thënë se kryeministri Shqipërisë Edi Rama duhet të ia propozojë Vuçiqit draft-statusin për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, pasi që edhe e ka obligim të mbrojë shqiptarët ku do që janë.
“Nuk kam dyshim se Edi Rama beson që propozimi i tij është i mirë. Duke qenë kështu, unë propozoj që Rama këtë draft status të ia propozojë Vuçiqit më së largu në takimin e radhës të Ballkanit të hapur për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Aq më tepër që neni 8 thotë që Republika e Shqipërisë mbron shqiptarët jashtë kufijve të saj. Në vend që të propozohet për shqiptarët në Kosovë, le të propozon për shqiptarët në luginë” tha Kurti.
/Argumentum.al