Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte rënë pre e një thirrjeje me video nga dy humoristë rusë pak pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Dy humoristët rusë, Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të njohur si Vovan dhe Lexus, publikuan në platformën Rumble një video të bisedës me kryeministrin Albin Kurti, duke pretenduar se po flisnin në emër të presidentit të Letonisë, Edgar Rinkevics.
Zyra e Kryeministrit ka reaguar lidhur me, siç e ka quajtur, incidentin me telefonatën – ‘prank call’ nga komedianët rus, të cilët iu paraqiten atij si presidenti i Letonisë.
Sipas Zyrës së Kryeministrit ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve.
“Për shkak të kohës, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet e plota të çdo telefonate. Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi e ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Kryeministrit.
Tutje teksa shprehet keqardhje që kryeministri Albin Kurti u bë shënjestër e një thirrje të tillë, theksohet se ky episod rikonfirmon qëndrimet parimore dhe konsistente të kryeministrit Kurti për çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe në ato private.
Gjatë ditës komedianët e famshëm rusë, “Vovan & Lexus” kanë publikuar një video me kryeministrin Albin Kurti, për të cilin thonë se ka rënë pre e mashtrimit të tyre.
Në videon e publikuar në kanalin e komedianëve, Kurti ankohet se ndaj tij ka pasur luftë hibride dhe se ajo është bërë kryesisht nga Serbia, Rusia “por edhe elementë të tyre brenda Kosovës”.
Ai gjithashtu ka kritikuar edhe ish-emisarin amerikan për dialogun, Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Dyshja i ka vënë në siklet edhe më herët disa politikanë evropianë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, presidentin polak Andrzej Duda, ish-kryeministrin britanik Boris Johnson, ish-kryeministrat e Malit të Zi Dushko Markoviq dhe Millo Gjukanoviq, ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, si dhe figura të njohura si Elton John dhe Princi Harry, përmes thirrjeve të ngjashme.
/Argumentum.al