Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ura e Ibrit në Mitrovicë duhet të hapet. Sipas tij, çështja e urës është çështje e Kosovës, e cila është përmbyllur sa i përket Brukselit në vitin 2016-2017.
Ai ka thënë se po e presin raportin për qëndrueshmërinë e kësaj ure.
“Ne dëshirojmë edhe lëvizje të lirë të qytetarëve edhe sundim të ligjit edhe paqe dhe siguri. Nga pikëpamja jonë ajo çfarë duhet të presim është raporti për qëndrueshmërinë e urës. Njëherë duhet ta presim raportin, kur ta lexojmë raportin, e vlerësojmë se sa është e qëndrueshme ura. Nuk e kam parë sepse si ka ardhur ende MAPL-së. Nuk është çështje diskutimi është çështje hapje. Në vitin 2016 janë përmbyllur te gjitha diskutimet dhe është thëne qe ura duhet të hapet më 20 janar 2017. Tash nuk jemi as në janar as në 2017, jemi në gusht 2024”, ka deklaruar Kurti.
Këto deklarata, kryeministri i tha në inagurimin e fillimit të punimeve në lotin 3 të rrugës Prizren-Tetovë.
Ambasdori i ShBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i bëri sërish ftesë publike kryeministrit kosovar që të mos ngutet dhe të bashkëpunojë me faktorin ndërkombëtar. Sipas amerikanit, tash për tash nuk është momenti i duhur, pasi një veprim i tillë e i njëanshëm, paraqet rrezik për situata të reja që mund të prodhojnë dhunë.
Ky reagim nga Kryeministri Kurti vjen pasi Bashkimi Europian një zëdhënës i BE-së ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin për hapjen e qarkullimit për automjete të Urës së Ibrit, duke thënë se kjo çështje do të bëhet pjesë e agjendës së takimit të ardhshëm të dialogut.
Kujtojme se sot, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
“Arsyeja pse e kërkojmë këtë është se besojmë se ka rrezik të njëmendtë që lidhet me një veprim të tillë tani, si dhe besojmë se ky rrezik shton kërcënimin e mundshëm për dhunë dhe probleme të tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë, të cilët po punojnë për të ofruar paqe dhe siguri në Kosovë. Dhe, ne i marrim shumë seriozisht veprimet që mund të ndikojnë në sigurinë e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, i tha sot Hovenier.
/Argumentum.al