Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas deklaratës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cila tha se do t’i bëjë kërkesë KFOR-it, për dërgimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti theksoi se Kosova nuk kërkon konflikt, por do të mbrohet me forcë dhe vendosmëri.
Deklaratën e Vuçiçit, Kurti e ka cilësuar kërcënim me agresion ushtarak.
“Presidentja dhe kryeministri i Serbisë kanë kërcënuar edhe me agresion ushtarak, duke kërkuar që ushtria serbe të kthehet në territorin tonë. Ne nuk kërkojmë konflikt, por dialog dhe paqe. Por më lejoni të jem i qartë: Republika e Kosovës do të mbrohet – me forcë dhe vendosmëri”, shkroi ndër të tjera Kurti në Twitter.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se do t’i drejtohet KFOR-it me kërkesë për lejimin e dërgimit të trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.
Gjatë një konference për mediat në Beograd, Vuçiç bëri të ditur se vendimi i qeverisë do të merret të hënën ose të martën.
“Ne u dakordësuam sot për tekstin që t’i dërgojmë një kërkesë komandantit të KFOR-it, në përputhje me Rezolutën 1244, për të siguruar dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës dhe vendimi i qeverisë për këtë çështje do të merret të hënën ose të martën”, nënvizoi ai.