Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova refuzon pjesëmarrjen në nismën e Mini-Shengenit duke shtuar se, rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian.
Ai këto komente i bëri gjatë një fjalimi në konferencën dyditore ndërkombëtare “Prespa Forum”, që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Mini-shengeni është një nismë e përbashkët e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal.
Kosova ka refuzuar të marrë pjesë në këtë iniciativë.
Megjithatë, në marrëveshjen për normalizimin ekonomik me Serbinë, të nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, më 4 shtator, 2020, në Uashington, njëra nga pikat parasheh edhe bashkëpunimin e Kosovës në kuadër të mini-Shengenit.
Kryeministri Kurti tha se kjo iniciativë nuk ofron vizion për rajonin.