Nëse KFOR-i nuk i heq barrikadat, atëherë këtë e bënë Policia e Kosovës. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për mediumin boshnjak istraga.ba. Kurti ka folur për vendosjen e barrikadave nga serbët në veri, për të cilët thotë se janë të orkestruara nga Beogradi dhe udhëheqësit e tyre.
“Ata nuk janë krijues. Ata nuk dinë gjë tjetër veçse të përsërisin gabimet e viteve nëntëdhjetë kur ndërtuan barrikada në Bosnje dhe Kroaci. Pra, në një farë mënyre dinë vetëm të përsëriten. Unë mendoj se ata do të dështojnë”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri thotë se në veri ka policinë vendore e cila tani është më e pranishme se më parë.
“Por ne kemi edhe njëmbëdhjetë barrikada. Këto barrikada ishin episodi i dytë i episodit të parë, që ishte se serbët nga veriu morën urdhër nga Beogradi që të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës”, ka deklaruar Kurti, sipas të cilit po përsëriten gabimet e viteve të ’90-a.
Kryeministri kosovar ka thënë se ka kërkuar nga KFOR-i që barrikadat t’i heq para krishtlindjeve. “Dhe na vjen shumë keq që KFOR-i po e vonon këtë”, ka deklaruar kr Kurti.
“Dhe nëse KFOR-i nuk është në gjendje t’i heqë barrikadat, ose për arsye të panjohura për mua, nuk do ta bëjë këtë, atëherë ne do të duhet ta bëjmë atë. Sepse barrikadat bllokojnë kryesisht serbët në veri. Ato janë shkelje dhe shtypje e rendit tonë kushtetues dhe ligjit dhe rendit tonë. Por, në radhë të parë është kundër lirisë së lëvizjes”, deklaroi Kurti.
Për 23 vitet e fundit, KFOR-i sipas Kurtit, është mburrur se qëndron për paqen, për sigurinë dhe fillimisht për lirinë e lëvizjes. Epo, tani ai duhet të provojë veten në veprim.
“Mendoj se ka ardhur koha që ata të dëshmojnë veten. Nëse ata nuk do të provojnë veten, atëherë për fat të keq do të duhet të merremi me ato barrikada. Nuk do të doja që të arrijmë deri në atë pikë, por do të duhet, dhe ndërkohë po i japim pak më shumë hapësirë KFOR-it, i cili kërkoi durimin tonë për disa përpjekje shtesë për të cilat nuk di asgjë”,ka thënë Kurti.
Në pyetjen se a do t;i jepni kohë KFOR-it, kryeministri Kurti, ka thënë se kjo nuk mund të zgjasë me javë.
“Jo vetëm që nuk mund të zgjasë me muaj, por nuk mund të zgjasë as me javë…Dhe tani ne po hyjmë në vitin e ri dhe nuk mendoj se ato barrikada janë të vlefshme. Janë shumë të dëmshme, të gabuara dhe në të njëjtën kohë sjellin përvoja dhe kujtime të hidhura nga tridhjetë vjet më parë”, ka deklaruar kryeministri Kurti.