Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq ka folur për mediumin serb, “Blic” në lidhje me Kosovën dhe se si shihet ajo në shtetin që ai udhëheq.
Krivokapiq tha se “për një pjesë të popullsisë, [Kosova] është çështje emocionale dhe ata e konsiderojnë atë si pjesë të patjetërsueshme rë Serbisë”. Ai befasoi duke theksuar se po të ishte kryeministër i Malit të Zi para se ky shtet ta njihte Kosovën si shtet të pavarur, ai nuk do ta kishte bërë kurrë këtë gjë,
“Nëse do të isha kryeministër i Malit të Zi në një situatë kur Mali i Zi ende nuk e ka njohur Kosovën, unë kurrë nuk do të isha dakord që ajo të ndodhte. Por gjithçka ka mbaruar para se të vij në qeveri dhe para kësaj qeverie”, deklaroi Krivokapiq.
Ai gjithashtu tha se nëse ata do të merrnin vendim tani për ta tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, Qeveria do të binte në seancën e ardhshme parlamentare.
“DPS [partia e presidentit malazezas, Millo Gjukanoviq] do të bënte gjithçka për ta ri-formuar qeverinë dhe për të marrë përsëri të njëjtin vendim për Kosovën. Gjithçka tjetër është një imagjinatë e bazuar në dëshira”, tha Krivokapiq.
Në qeverinë e Malit të Zi që u formua në dhjetor të vitit që shkoi, ka pozitë të rëndësishme edhe shqiptari Dritan Abazoviq. Ai është i vetmi zëvendëskryeministër, pasi me Lëvizjen e tij Qytetare, URA mbështeti formimin e Qeverisë me në krye Krivokapiqin.
Përveç partisë së Dritan Abazoviqit, Qeveria e Malit të Zi u mbështet në Kuvend nga deputetët e partisë nga lista “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, e udhëhequr nga Fronti Demokratik, Mali i Zi Demokratik dhe Lëvizja Qytetare URA. Kundër saj ishin partitë opozitare DPS, Socialdemokratët, Partia Social-Demokrate, dy parti kombëtare shqiptare dhe Partia Boshnjake.
Me votat e 41 deputetëve, nga gjithsej 81 në Parlamentin e Malit të Zi, më 4 dhjetor u zgjodh Qeveria e re e kryesuar nga Zdravko Krivokapiq