Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e dorëzimit të titullit Doctor Honoris Causa, kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në Tiranë.
Rama theksoi në një postim në rrjetet sociale se, ishte privilegj mundësia për të thënë disa fjalë rreth librit të Abazoviç, “Kritika e Etikës Globale”.
Rama u shpreh se, libri i Abazoviç është një pasqyrë e dobishme për të kuptuar rrënjët e një fenomeni unikal politik si themeluesi i lëvizjes URA.
“Kënaqësi pjesëmarrja sot në ceremoninë e dorëzimit të titullit Doctor Honoris Causa, kryeministrit Dritan Abazoviç dhe privilegj mundësia për të thënë disa fjalë rreth librit të tij, “Kritika e Etikës Globale”, i cili është një pasqyrë e dobishme për të kuptuar rrënjët e një fenomeni unikal politik si themeluesi i lëvizjes URA. Urime të përzemërta, me admirim”, shkroi Rama.
Në fjalën e tij në ceremoni, Rama e cilësoi kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, si mishërimi i kredos së veprimit dhe fenomen në politikën ballkanike.
Rama u shpreh se, “më duhet ta them që unë jam shumë i privilegjuar, kështu duhet të ndihet çdonjëri në këtë kategori njerëzish që merren me politikë në rajonin tonë, që mund ta quaj veten mik i Dritan Abazoviç”.