Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me furnizuesit e naftës për t’i vënë fre çdo spekulimi me pasojat e luftës në çmimet e karburantit.
Rama theksoi se “situata e jashtëzakonshme imponon ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të qeverisë për ngrirjen e marzheve të fitimit si edhe transparencën e çmimit, prandaj ngrihet menjëherë Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit”.
“Një Akt Normativ me fuqinë e menjëhershme të ligjit për përballimin e kësaj emergjence, do të përcaktojë që nesër edhe kuadrin e detyrimeve dhe të drejtave të kufizuara të furnizuesve të karburantit, për një afat dymujor të rinovueshëm sipas dinamikës së luftës”, tha Rama.
Duke iu drejtuar furnizuesve të naftës, Kryeministri theksoi se “ju i përkisni asaj pjese të shoqërisë shqiptare që duhet të bëjë sakrificë”.
“Kjo nuk është koha për të fituar, por për të rezistuar. Kjo është koha për të mbajtur pjesën tuaj të barrës. Ne kemi detyrimin të mbajmë barrën më të madhe. Kjo është një luftë dhe secili duhet të mbajë barrën që i takon”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “brenda 24 orësh, qeveria do të kalojë një akt normativ me fuqinë e ligjin dhe qeveria do të hyjë në administrimin e furnizimit bashkë me furnizuesit, përmes një Bordi Kombëtar të Furnizimit me Karburant”.
“Çdo ditë ju dhe qeveria, e përfaqësuar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtori i Tatimeve, Drejtori i Doganave dhe kreu i Autoritetit të Konkurrencës, do të jenë në tryezë me 5 përfaqësues nga ju”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “nuk do të ketë asnjë tabelë në asnjë pikë karburanti, ku do të shfaqet një çmim që nuk është miratuar nga bordi”.
Sipas tij, “nëse dikush do ta bëjë këtë do të humbasë pikën e karburantit. Kërkoj solidaritetin dhe angazhimin tuaj me hir, kurse ligji do ta bëjë këtë me pahir. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër”.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se “nga nesër nis kontrolli në terren ndaj furnizuesve të karburantit për gjendjen e rezervës së sigurisë së naftës që duhet të kenë, si detyrim ligjor ky i parashikuar në rastet e krizës”.
Gjatë takimit që u zhvillua sot në Kryeministri me furnizuesit e karburantit, Balluku solli në vëmendje VKM-në e posaçme të vitit 2004 e miratuar për rastet e krizës, që parashikon detyrimin për ruajtjen dhe mbajtjen e sasisë së naftës si dhe sanksionet përkatëse në rastet e mos zbatimit të këtij vendimi.
“Është e nevojshme të flasim për çfarë kërkon qeveria nga ju, kërkojmë të përmbushet detyrimi i rezervave faktike që ju duhet të keni. Ministria i ka të dhënat dhe janë të qarta dhe transparente të gjithë sasitë e rezervës së sigurisë që secili nga ju duhet të mbajë”, tha Balluku.
Balluku theksoi se, “rafineritë e naftës dhe shoqëritë e tregtimit janë të detyruar të mbajnë rezerva sigurie të barabarta me 90 ditë sigurie shitje. Bordi që do ngrihet për të menaxhuar në bazë ditore të gjithë ecurinë e tregut të naftës, do të ketë detyrë që përmes instrumenteve të kontrollit që administrojë situatën e rezervës së naftës në secilën nga subjektet, ndërsa do nisim kontrollin në terren për të parë gjendjen faktike të depozitave të naftës ku duhet të gjendet sasia e rezervës së sigurisë të kërkuar”.
Sipas saj, kjo do të nisë duke filluar nga nesër në terren, teksa u bëri apel furnizuesve të karburantit “që të deklaronin zyrtarisht sasinë e rezervës që mbajnë, për t’i koordinuar këto të dhëna me sasinë që ka përllogaritur MIE”.
“Ministria i ka të gjitha të dhënat, që na dorëzon nga doganat dhe tatimet. Janë të qarta dhe transparente rezervat e sigurisë që secili prej jush duhet të mbajë. Rafineritë janë të detyruara të mbajnë rezerva. Kategoritë e naftës dhe të gazit, për të cilat do të mbahen këto rezerva sigurie, janë gaz bruto, lëndë djegëse, solar, etj. Rafineritë e naftës janë të detyruara të mbajnë rezerva sigurie me 90 ditë të barabarta shitje. Sasia e rezervës së sigurisë për vitin pasardhës përcakton me urdhër të Ministrisë përgjegjëse”, tha Balluku.
Balluku theksoi se, “rezerva e naftës duhet mbajtur brenda vendit dhe shoqëritë e tregtimit e mbajnë atë të rezervuar në pronën e tyre. Sasia varet, jo më pak se 30% në depozitat e subjekteve”.
“Masa e gjobës në rastet e mos përmbushjes së detyrimeve të përcaktuara nga VKM-ja për sasinë e rezervës së naftës është deri në 50% të vlerës së sasisë së produktit që mungon nga kuota”, tha Balluku./ata