Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot komenteve në rubrikën “Sy m’Sy” edhe sa i takon votimit në zgjedhjet e 11 majit.
“Vota shkon atje ku e çon dhe ato përrallat me manipulime me përmbysje të vullnetit popullor janë përrallat e humbësve, e humbësve kronikë që kanë humbur dhe do të vazhdojnë të humbin, sepse nuk duan të përballen me realitetin e humbësit”, u shpreh Rama.
“Kur ndodh që ti humb prapë një palë zgjedhje, dhe më ka ndodhur mua në 2009, edhe pse me më pak se 1%, edhe pse zgjedhje me shumë dhunë, dhe nxorëm mësime. Zgjedhjet e 2011-ës në Tiranë, me 10 vota na i morën, nxorëm mësime dhe ndërtuam makineri fitoreje që është e pathyeshme. PS është e pathyeshme sepse ne punojmë çdo ditë dhe nuk flas për qeverinë, flas për Partinë Socialiste. Ne pas zgjedhjeve fillojmë punët për zgjedhjet e tjera. Ti do të votosh aty ku dëshiron të votosh dhe do votosh për këdo”, theksoi Kryeministri.
Sipas Ramës, për herë të parë kemi hyrë në procesin e materializmit të ëndrrës së madhe europiane.
“Për herë të parë ne kemi hyrë në procesin e materializmit të ëndrrës së madhe: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, për herë të parë na ndodh që të kemi një përputhje të rrethanave tona të brendshme dhe të kësaj ëndrre me rrethanat e brendshme të Europës dhe me vullnetin e tyre për të na marrë brenda. Kur Europa ishte më e hapur ndaj zgjerimit, ne nuk ishim kërkund, dhe kur ne filluam të bëheshim më të pranueshëm ata humbën dëshirën për zgjerimin. Në këtë moment, janë përputhur gjërat”, u shpreh Rama.
“Ne kemi rënë dakord që t’i mbyllim negociatat në 2027-n, që i bie në më pak se 3 vite dhe kjo nuk i ka ndodhur asnjë vendi. Kroacisë i janë dashur 7 vite, Mali i Zi ka vite e vite që është në këtë proces dhe kjo për rastin tonë sepse është përputhur rritja e besueshmërisë tonë, rritja e respektit ndaj nesh fal punës që ne bëjmë me nevojën e tyre për të zgjeruar BE dhe për të dhënë një sinjal shumë të fortë që po shkojmë drejt një riunifikimi të Europës dhe përsëri në Mars ne do të hapim grupkapituj të tjerë zyrtarisht të negociatave. Në këtë proces janë 1000 persona që punojnë me negociatat me të gjithë sektorët”,tha Rama.
Ai foli dhe për përfitimet nga integrimi në BE. “Futja në BE na jep 3 përfitime shumë të rëndësishme të cilat nuk mund t’i garantojmë për të nesërmen. Liritë individuale, kush është jashtë BE i ka gjithmonë të kërcënuara. Në BE liritë individuale janë të garantuara. E dyta, barazia para ligjit. Shikoni si është situata, unë sot jam këtu, nesër nuk jam këtu. Dikush nesër vjen me një qeveri tjetër dhe thotë të përmbysim reformën në drejtësi, ta mbyllim, t’i vëmë çelësin SPAK-ut, t’i vëmë çelësin të gjitha institucioneve të reja dhe të kthehemi atje ku ishim”, tha Rama.
“Nëse jemi në BE gjithçka është e garantuar dhe barazia para ligjit është në një nivel tjetër edhe brenda edhe jashtë sepse ajo pasaporta që Republika e Shqipërisë, nuk është vetëm Republika e Shqipërisë, por do të shkruajë Bashkimi Europian. Dhe secili apo secila qoftë shqiptar që jeton këtu, qoftë shqiptar që jeton jashtë do të jetë komplet i barabartë para ligjit. Dhe e treta janë standardet, të gjitha standardet e jetesës janë të garantuara”, tha Rama.