Gjatë një konference për shtyp në përfundim të Samitit të Jashtëzakonshëm të NATO-s për sulmin rus ndaj Ukrainës, Kryeministri Rama tha se është një zhvillim, i cili ka sfiduar të gjithë arkitekturën e sigurisë në Evropë, ngrehinën institucionale të politikës ndërkombëtare, duke faktikisht goditur themelin e saj, të drejtën ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar.
Shqipëria do të mirëpres familjet ukrainase që janë larguar apo do të largohen nga vendi i tyre për shkak të bombardimeve të Rusisë. Kjo u bë e ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se qeveria shqiptare si vend aleat i NATO është angazhuar të mirëpresë refugjatë ukrainas.
“Sot në samit jemi angazhuar këtë herë, e kanë bërë ketë gjë edhe vende të tjera, për të mirëpritur njerëzit familjarët që largohen apo do largohen nga Ukraina”, tha Rama.
“Ne jemi pjesë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe jo vetëm kaq, por edhe bashkëpenëmbajtëse me SHBA-në në Këshillin e Sigurimit, gjë që e ka bërë me dije botërisht qëndrimin tonë që në minutat e para pas fillimit të sulmit në instancën më të lartë të politikës ndërkombëtare”, tha ai.
Nga ana tjetër, Rama tha se ndjek me shumë keqardhje këto zhvillime, duke pasur në zemër e mendje njerëzit në Ukrainë, ashtu sikundër lidershipin ukrainas, që kërcënohet drejtpërdrejtë me vetë jetën e tij.
“Nuk e di a e ndoqët gjatë ditës, qoftë presidentin ukrainas, tanimë i veshur me uniformë ushtarake dhe në fushën e luftës, apo ish-presidentin Poroshenko, i cili po ashtu gjendej i armatosur në një nga lagjet e Kievit”, tha Rama.
Sipas Kryeministrit, “është një situatë realisht tragjike, por nga ana tjetër është një zhvillim, i cili ka sfiduar të gjithë arkitekturën e sigurisë në Evropë, ngrehinën institucionale të politikës ndërkombëtare, duke goditur faktikisht themelin e saj, të drejtën ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar”, deklaroi Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se pavarësisht situatës së krijuar nga sulmi i Rusisë në Ukrainë, “mbetet e rëndësishme për ne mbajtja nën kontroll e çmimit të energjisë për konsumatorët dhe biznesin”.
Gjatë një konference për mediet në përfundim të Samitit të Jashtëzakonshëm të NATO-s për sulmin rus ndaj Ukrainës, Kryeministri duke folur për implikimet e kësaj lufte, tha se Shqipëria nuk ka varësi të konsiderueshme të natyrës ekonomike apo tregtare me Rusinë.
“Shqipëria, ndryshe nga shumë prej vendeve të tjera të NATO-s nuk ka varësi të konsiderueshme të natyrës ekonomike apo tregtare me Rusinë, por sidoqoftë nuk është krejt pa lidhje të kësaj, qoftë me Rusinë apo Ukrainën, që uroj dhe shpresoj të kthehet në normalitet, por që faktikisht është shumë larg sot nga normaliteti”, tha ai.
Sipas tij, sot është më e qartë sesa dje, ajo që ka filluar të ndjehet muaj më parë me krizën e çmimeve të energjisë, me rritjen eksponenciale të çmimeve të gazit në bursën ndërkombëtare, apo rritjen e shpejtë të çmimit të naftës, gjë që i ka pararendur këtij momenti si një erë drithëruese në shpinën e shteteve.
Rama tha se ndërkohë ka një valë të inflacionit të shoqëruar me rritjen e çmimeve në tërësi, si një pasojë e drejtpërdrejtë e rikthimit të fuqishëm të ekonomisë dhe aktivitetit ekonomik pas mbylljes nga pandemia.
“Ne jemi i vetmi vend, apo ndër të paktët që nuk e kemi prekur çmimin e energjisë. Në të gjitha komunikimet me kolegët, në vigjilje të këtij Samiti, edhe në takimet në Konferencën e Sigurisë në Mynih, çështja themelore është çështja e rritjes së çmimeve të energjisë, që në vendet fqinje që nga Kosova, Greqia apo Italia ka ndikuar shumë fort në faturën e shpenzimeve të konsumatorëve familjarë, pastaj biznesit po e po”, tha ai.
Kryeministri u shpreh se mbajtja nën kontroll e çmimit të energjisë për konsumatorët dhe biznesin është e rëndësishme.
“Ne jemi zotuar të bëjmë çmos për ta mbajtur nën kontroll çmimin e energjisë, sepse jemi të vetëdijshëm për efektin që ai ka e goditjen psikologjike që sjell në tërësi. Për këtë kemi bërë një ndryshim rrënjësor të skemës së trajtimit të eksport-importit të energjisë dhe deri tani kemi arritur t’ia dalim, gjë që ndodh si rezultat i një sforcoje realisht të madhe nga ana e qeverisë. Qeveritë vlerësohen për atë që ndodh, por sytë e vëmendshëm të ekonomistëve apo financierëve i vlerësojnë edhe për atë që nuk lënë të ndodhë, dhe kjo është e rëndësishme për ne, mbajtja nën kontroll e çmimit të energjisë për konsumatorët dhe biznesin”, deklaroi Kryeministri.
Kryeministri Rama foli edhe për “Ballkanin e Hapur”, kur tha se marrëdhëniet në funksion të “Ballkanit të Hapur” janë marrëdhënie strategjike, rajonale, pragmatike, për të shmangur pikërisht konfliktin, i cili do t’i bënte dëm të paparë rajonit.
“Vitin e shkuar në Shqipëri u krye një stërvitje që ishte më e madhja e zhvilluar ndonjëherë në këtë pjesë të kontinentit, “Defender 2021”, ku erdhën të gjitha forcat e NATO-s dhe kjo stërvitje do të kryhet përsëri vitin e ardhshëm. Përfundimisht ne e kemi pozicionuar, me të gjithë hapat që kemi hedhur në marrëdhëniet bilaterale me SHBA dhe strategjinë që kemi ndjekur në ndërtimin e pjesës së sipërme të kësaj marrëdhënie që ka kaluar në një nivel krejt tjetër. Mos harroni dokumentin e bashkëpunimit strategjik me SHBA-në e firmosi kjo shumicë dhe Shqipërinë e kemi kthyer në një pikë nevralgjike të marrëdhënieve ushtarake bilaterale me SHBA-në dhe brenda vetë NATO-s, duke pasur në Shqipëri edhe Komandën Speciale Amerikane për Evropën. Do të thotë, jo vetëm nuk jemi vetëm, por më të fortët të pranishëm. Duke shtrirë bashkëpunimin në nivelin e infrastrukturës me bazën ajrore. Para pak kohësh kishim në ujërat tona aeroplanmbajtësen “Harry S. Truman”, që është një aeroport ushtarak masiv më vete”, u shpreh Rama.
Sipas tij, kjo do të thotë se nuk ka arsye për shqetësim nëse janë apo jo kapacitet për t’u mbrojtur me të gjitha fuqitë e mundshme, nga cilido duke pasur në dispozicion arsenalin më të sofistikuar që ka bota.
Lidhur me qëndrimin e Serbisë për sulmin e Rusisë në Ukrainë, Rama e quajti qëndrim tipik të politikës së jashtme serbe.
“Sa i përket Serbisë është një rast për ata që nuk lënë rast pa u marrë me “Ballkanin e Hapur” që të spekulojnë. Ne nuk kemi pasur mungesë qartësie apo informacioni për pozicionin e Serbisë nga pikëpamja e politikës së jashtme kur kemi nisur këtë proces. Nuk kemi pritur të sulmohet Ukraina që të zbulojmë lidhjet e Serbisë me Rusinë. Nga ana tjetër në informacionin paraprak që kam marrë presidenti i Serbisë është shprehur për integritetin territorial të Ukrainës, qëndrim i dyzuar, tipik për politikën e jashtme serbe”, tha ai.
Sa i përket situatës në Ukrainë dhe ngjashmërisë me luftën në Kosovë, Rama tha se për nga brutaliteti janë të ngjashme.
“Sepse siç ju kujtohet, edhe në Kosovë liderët e atëhershëm e personalitetet e atëhershme politike e publike të Kosovës u rrezikuan shumë, ashtu sikundër i ndjeri presidenti Rugova që u mor peng. Kjo është diçka që nuk ka ndodhur në Evropë, futja me ushtri në një shtet tjetër, sovran prej shumë vitesh me institucione të zgjedhura”, nënvizoi Rama.
Kryeministri informoi se shumë shpejt do të zhvillonte një takim me kryeministrin britanik në Londër dhe se do të diskutohet edhe lidhur me këtë.