Ndërsa ishte konfirmuar axhenda e takimit dhe logoja e kësaj mbledhje të përbashkët qeveritare ” Të perbashkuar”, në fakt, pas lajmit nga Kryeministri Rama për anulimin e saj në një kohë të vështire për Prishtinën zyrtare, kombi shqiptarë duket më i përçarë se kurrë. Të paktën qeveritë zyrtare Shqipëri- Kosovë.
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot në një konferencë me gazetaret anulimin e mbledhjes së nesërme të përbashkët të qeverive Shqipëri-Kosovë.
Në një konferencë për shtyp, Rama deklaroi se, “e kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”.
“Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Joseph Borrel, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë”, tha Rama.
“Për fat të keq dhe me shumë keqardhje më duhet të them që nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit, ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë edhe për këtë, por kjo nuk është e mundur, sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot”, u shpreh kreu i qeverisë.
“Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit, unë shpresoj shumë që të mund të takohemi për të ballafaquar opinionet në kushtet kur, e përsëris, jemi në prag të vënies në lëvizje të planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksione, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit”, tha Rama.
“Kam bërë një përpjekje për t’iu kërkuar edhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”, theksoi Rama.
Kryeministri Edi Rama theksoi sot në një konferencë për shtyp se, “Kosova po hyn në një kurs përplasjeje dramatike me bashkësinë euroatlantike”.
Pyetjes së medieve se, në kushtet kur i zoti i hallit, Kurti, rrezikon të sanksionohet nuk e ka problem të zhvillohet kjo mbledhje e dy qeverive pse vendosni ju të shkoni drejt këtij vendimi, a po agravohet në këtë mënyrë marrëdhënia Shqipëri-Kosovë, Rama iu përgjigj se, “këtu nuk është fjala për të zotin e hallit, sepse halli është i Kosovës, por është edhe i shqiptarëve, i kombit shqiptar, që rrezikon të dalë në një dritë jo të mirë në sytë e atyre që e kanë bërë këtë komb të jetë në ditët e tij më të mira në historinë shumë e shumë vjeçare për herë të parë. Halli nuk është i Kryeministrit, halli është i qytetarëve të Kosovës dhe i të gjithë shqiptarëve”.
“Ne e kemi shumë problem, sepse Shqipëria nuk është një UFO nuk operon e izoluar dhe marrëdhënia e Shqipërisë me Kosovën është një marrëdhënie vëllazërie. Shqipëria është një shtet, i cili është pjesë e pandashme e bashkësisë euroatlantike, vend anëtar i NATO-s dhe nuk ka asnjë shans që Shqipëria të zhvendoset nga boshti i bashkësisë euroatlantike”, theksoi Rama.
Për më tepër, vijoi Rama, “ua kam thënë edhe më parë, ne mendojmë, jo 99, por 100 % njësoj siç mendojnë aleatët tanë në këtë rast”.
“Ashtu sikundër ju kam thënë se, kur disa prej partnerëve i thoshin Albinit dhe autoriteteve të Kosovës mos i mbani zgjedhjet në veri, unë isha 100 % me Albinin e autoritetet e Kosovës që zgjedhjet duheshin mbajtur, se bojkoti i serbëve nuk mund të fitonte statusin e instrumentit fatal për Republikën e Kosovës, që s’duam ne të marrim pjesë, s’bëhen dot zgjedhje”, tha Rama, duke shtuar se, “në atë rast kam dhënë edhe unë kontributin tim modest që të kuptonin dhe partnerët se aty nuk ishte çështje e një teke të Albinit, por një qëndrim parimor dhe për mua i saktë”.
Por sot, theksoi Rama, “nuk ndajmë opinionin mbi mënyrën se si po veprohet, por ne si vend jemi 100 % kundër mënyrës si po veprohet”.
“Marrëdhëniet e Shqipërisë me bashkësinë euroatlantike dhe pozicioni që Shqipëria ka fituar në këtë bashkësi, ku sot është në pikën e vet më të lartë në historinë e saj, nuk e vë dot në diskutim askush dhe për asnjë arsye, dhe aq më pak të vënë në diskutim një situatë ku Kosova po kërcënohet nga një arsye e mosarsyes dhe nga një gjykim i gabuar strategjik”, tha Rama.
“Kosova po digjet ngadalë në reputacionin e saj ndërkombëtar, me ata që e krijuan si shtet”.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Rama tha se, “nuk po e sanksionoj unë Kosovën me ndërkombëtarët. Jo, fare, sepse thashë edhe një herë, kam disa ditë që kërkoj ta takoj, ka qenë i zënë, e mirëkuptoj, nuk ka asnjë problem. Nuk jemi në kushtet kur mund të bëjmë një mbledhje si ufo. Shqipëria nuk është UFO të paktën, Shqipëria, e përsëris, është pjesë e pandashme e bashkësisë euroatlantike dhe nuk mundemi të as bëjmë një teatër me marrëveshje për bujqësinë, për blegtorinë, etj., që janë shumë të rëndësishme, që janë gati dhe mund të bëhen gati pas një jave, dy apo tre javësh”.
“Unë i marr me mend të gjitha nënqeshjet dhe përqeshjet me bashkësinë euroatlantike, sot, që krijoi Kosovën, të atyre që nuk e deshën kurrë Kosovën e pavarur. I marr me mend, kanë të drejtë, të nënqeshin dhe të përqeshin, sikur të thonë: E donit shtet? Dhe ne këtë gjë ne nuk duhet ta lejojmë, duhet të bëjmë çmos që ta pengojmë, duhet të bëjmë çmos që të mos ndodhë”, theksoi Rama.
Rama vuri në dukje se, “për çfarë bëhet kjo njëherë? Unë nuk e kuptoj. Për një të ngujuar aty që nuk ushtron dot jo detyrën, por nuk ushtron dot as funksionet bazike të një njeriu të lirë që të marrë ajër jashtë godinës? Për çfarë? Sepse ajo që u bë me zgjedhjet ishte gjëja e duhur, por ajo nuk u bë, besoj unë të paktën, nuk besoj se i shkon mendja as Albinit vetë, ajo u bë që edhe komunat me shumicë dërrmuese serbe t’i qeverisin shqiptarët. Ajo nuk u bë për këtë, ajo u bë për t’i thënë serbëve që ju i bojkotoni, po mirë, ne nuk i lëmë institucionet e qeverisë vendore në vakuum edhe sikur aty të hyjnë kryetarë komunash me dy vota”.
“Por në momentin që krijohen kushtet që ata të rifuten në zgjedhje dhe në momentin që unë jam gati për zgjedhjet e parakohshme, gjëja e parë që bën, çliron të vetëburgosurin e vetëvendosur në një godinë të mbushur me policë, ku nuk ka asnjë punonjës, ku nuk bëhet asnjë aktivitet, zero, zyrtarë burokratikë, shkresorë, etj., po ku i vetëvendosuri, i vetëburgosuri rri aty si simboli i një absurdi dhe pastaj vazhdon procesi me pjesën tjetër”, tha Rama.
Më tej, Rama u shpreh se, “unë nuk jam ariu, jam kryeministri i Shqipërisë. Kam bërë një propozim, janë bërë edhe propozime të tjera, s’kam kërkuar t’i imponohem kujt, as nuk pretendoj që ai draft të adaptohet pa e parë. Nuk pres që presidenti i Serbisë të thotë bravo, as që ta pranojë, sepse kanë shkruar diku në një marrëveshje që draftin do e bëjë një ekip menaxhimi që është me serbë. Nuk pres nga ai, por minimalisht qeveria, kryeministri i Kosovës të thotë ta shikojmë. Merre, shihe njëherë, se nuk i dihet, mund të jetë komplet kot. Por ju siguroj që është top, se nuk e kam shkruar unë, e kanë bërë ekspertë të nivelit më të lartë botëror. Ata që e kanë marrë në Paris, Berlin, Uashington kanë vetëm fjalë të mira. E keqja është që ka një pengesë psikologjike të fortë që ka të bëjë me natyrën e gjithë politikës së bërë nga të dy”.
/Argumentum.al