Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “krijimi i asociacionit të komunave serbe në Kosovë është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës e njohjes së saj nga të gjithë, e uljes së saj në Kombet e Bashkuara dhe të gjithë forumet ndërkombëtare dhe e njohjes së ndërsjellë me Serbinë”.
Në një konferencë për shtyp me gazetarët, Rama tha se “situata në veriun e Kosovës po merr për fat të keq përmasat e një tragjedie politike për Republikën e Kosovës. Deklaratat e aleatëve tanë strategjikë lidhur me këtë situatë janë gjithnjë e më alarmante dhe sinqerisht është e pakuptueshme arsyeja e ngurrimit të autoriteteve të Kosovës për deskalimin e një situate ku dukshëm çdo ditë, çdo orë e humbura e madhe është Kosova”.
“Serbia po bën atë që ka bërë edhe herë të tjera ndërsa Kosova po bën diçka që nuk e ka bërë kurrë më parë dhe si kurrë më parë po fajësohet botërisht nga të gjithë aleatët strategjikë të kombit shqiptar. Në kushtet kur marrëdhëniet e aleatëve e me Kosovën po marrin gjithnjë e më shumë tone ultimative dhe kur rikthimi në gjendjen e mëparshme po rrezikon të marrë një kohë gjithnjë e më të gjatë nëse Kosova dhe uroj, lutem që të mos ndodhë do të sanksionohet për qëndrimin e saj unë jam këtu për të ndarë me ju një fakt të panjohur deri më sot”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “e kam ditur me kohë që nyja gordiane e dialogut do të ishte deri në fund do të ishte asociacioni i i komunave me shumicë serbe bindja ime është se asnjëra nga palët nuk e do asociacionin dhe do të bëjë çmos të shtyjë atë në pafundësi duke mbajtur të hapur krizën me lloj artificash politike apo teknike”.
Ai bëri me dije se një ditë më parë i ka përcjellë Presidentit Macron dhe Kancelarit Scholz një draft për Asociacionin e komunave serbe për të cilin ka vënë në dijeni dhe Presidentin e KE-së, Charles Mishel dhe palën amerikane.
“Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe europianë prej kohësh gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë. Kjo ditë kur palët dhe në këtë rast për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës jo i Serbisë, që e përsëris bën atë që ka bërë edhe herët e tjera, palët nuk po merren dot vesh se as kush duhet ta shkruajë këtë tekst”, deklaroi Rama.
Ai tha se “ky është një dokument konfidencial, i cili padiskutim nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale, por ju siguroj që është një dokument i i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionit dhe patjetër merr në konsideratë se asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”.
“Uroj dhe shpresoj që ky material të vlejë për të çuar në një tjetër nivel dialogun dhe për ti bërë palët që të flasin për gjëra konkrete, gjëra që lidhen me përfundimin e suksesshëm të dialogut dhe jo që të flasin me vete dhe për vete. Kjo ishte ajo që doja të ndaja publikisht, arsyeja pse e ndaj sot është sepse situata po bëhet alarmante dhe unë nuk mund të qëndroj spektator duke parë Kosovën si tkurret, tkurret e tkurret në sytë e atyre që e krijuan shtetin e Kosovës”, nënvizoi Rama.
Në konferencën për mediet, Rama theksoi se “i takojnë atyre të bëjnë çfarë të dëshirojnë me këtë kontribut. Sepse tani ishte gati për t’u bërë dhe tani janë kushtet për t’u bërë, duke parë se në vend që të ulen në tryezë njëri çon policinë në godina bosh, tjetri çon ushtrinë për të kënduar këngë në kufi me Kosovën dhe të dy e dinë që as njëri as tjetri tjetri nuk janë aty për të zgjidhur problemin real, finalizimin e marrëveshjes dhe Asociacionin”.
Kryeministri theksoi se, ndërkombëtarët janë të zotët e shtëpisë në Kosovë, se ata e kanë krijuar atë shtëpi me bomba dhe shumë çka kanë bërë për atë shtëpi. “Për sa kohë ajo shtëpi nuk është plotësisht e njohur botërisht. Ata ndërkombëtarët janë limfa vitale e asaj shtëpie. Në momentin që ndërkombëtarët i kthejnë shpinën asaj shtëpie, ajo shtëpi futet në ditët e veta më të zeza ”, tha Rama.
Ai tha se, nëse trupat e huaj do të marrin veriun e Kosovës, çështja do të kthehet në tryezë kushedi pas sa vitesh.
“Ky është një nga ato momentet historike kur minuti bën vitin, ora bën dekadën dhe dita shekullin.
“Unë mendoj se një Asociacion që është brenda Kushtetutë së Kosovës, është në sinkron me të gjithë pritshmëritë e komunitetit demokratik që i jep vetë administrim atyre që e përbëjnë, pa e vënë në pikëpyetje asnjë herë autoritetin e institucioneve të Kosovës që i jep mundësi t’i bëjnë ato që duan të bëjnë për arsimin dhe shëndetësinë dhe gjen miratimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është gjëja që i duhet sot Kosovës, të tjerat janë dokra të rrezikshme që mund ta çojnë Kosovën në kohën e bronzit dhe kjo është serioze dhe është e gjithë bota që kërkon këtë, nuk janë vetëm aleatët europian dhe amerikanë, por edhe aleatë të tjerë që janë të shqetësuar dhe duan zgjidhje dhe nuk arrijnë ta kuptojnë se çfarë kërkon Kosova tani. Por janë të fokusuar bëni këtë dhe të shkojmë tek njohja e ndërsjellë”, u shpreh Rama.
/Argumentum.al