Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri një vizitë zyrtare në Prishtinë nga Nju Jorku ku mori pjesë në sesionin e 76 -të të debatit të përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB -së. Në fjalimin e tij në debatin e përgjithshëm të Kryeministrit, Rama i kërkoi OKB -së të njohë Kosovën e cila duhet të zërë vendin e saj ligjor në organizatën botërore.
Po ashtu vizita e Kryeministrit Rama në Kosovë ndodh në kohën e një situate të tensionuar në veri të Kosovës, pas vendosjes së reciprocitetit për targat e Serbisë.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha në Prishtinë se Serbia duhet të ndalë manovrat ushtarake afër kufirit me Kosovës, sepse sipas tij, ato nuk mbrojnë qytetarët serbë të veriut të Kosovës. Edi Rama nga Prishtina e dënoi “sjelljen e Serbisë karshi vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet lidhur me targat e veturave”. Qëndrimi i Shqipërisë karshi problemit në dy vendkalimet kufitare me Serbinë në veri është shumë i qartë.
“Sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës. Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë në veriun e Kosovës, siç pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar”, tha Rama. Kryeministri Rama dënoi incidentet e dy ditëve më parë në veri, djegien e qendrave të regjistrimit të veturave në veri të Kosovës. Sipas tij, qytetarët serbë në Kosovë nuk kanë nevojë të mbrohen, pasi jetojnë të sigurtë.
“Qytetarët serbë në Kosovë jetojnë të pakërcënuar nga askush. Madje iu paguhen edhe faturat e energjisë elektrike nga qeveria e këtij shteti këtu si askujt askund, jo vetëm në Ballkan, por edhe në botë”, u shpreh Rama. Sipas tij, problematika e tashmë rreth targave të veturave mund të zgjidhet “vetëm me dialog.”
“E drejta këtu është me Kosovën dhe pikë. Serbia nuk ka asnjë drejtë t’i kthejë targat në një përditshmëri konfliktuale, ku mizën po e bën buall a thua se Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë”, tha Rama.
Rama jep porosi për mosacarim me ndërkombëtarët
Ai i bëri thirrje edhe Kosovës, siҫ tha, që të mos krijojë probleme me miqtë ndërkombëtarë përmes mbajtjes së njësive speciale të Policisë së Kosovës në kufi.
“Duhet bërë kujdes që çuarja e njësive speciale në atë zonë, nga nevoja për t’u siguruar se nuk cënohet siguria dhe rendi publik, në momentin e shtrirjes së problemit, mos të kthehet në një problem mes vetë Kosovës dhe miqve e partnerëve ndërkombëtarë”, tha Rama.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka arsyetuar prezencën e njësive speciale në vendkalimet kufitare.
“Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nuk ndodhet aty për të demonstruar një forcë, por për t’i mbrojtur pikat kufitare dhe policët tanë kufitarë”.
Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Kurti tha se “mandatet e dy qeverive tona të Kosovës dhe Shqipërisë i kemi marrë në një kohë me plot sfida, përballja me COVID-19, me variantin eksploziv “Delta”, rimëkëmbja ekonomike dhe zhvillimi i institucioneve demokratike janë disa prej sfidave tonë për tejkalimin e të cilave do të angazhohemi së bashku”.
“Kosova dhe qytetarët e saj i gëzohen progresit në Shqipëri. Përtej sfidave tona dy qeveritë kanë mundësi e potencial për të realizuar projektet, të cilat prej një kohe të gjatë priten nga qytetarët e dy vendeve”, – tha Kurti.
Kryeministri Kurti u shpreh se “ne duhet ta rrisim bashkëpunim për më shumë drejtësi, barazi, zhvillim e mirëqenie për shqiptarët në dy anët e kufirit dhe gjithë rajonin”.
“Ndërlidhja mes dy vendeve për heqjen e barrierave që shkaktojnë vështirësi e pengesa mes nesh është e domosdoshme për qytetarët dhe ekonomitë tona. Do të punojmë së bashku që tregu të jetë sa më unik, në mënyrë që qytetarët, shërbimet dhe kapitali dhe mallrat të lëvizin sa më lirshëm”, – theksoi Kurti.
Kreu i qeverisë së Kosovës u shpreh se, “nëse ka vende ku kjo mund dhe duhet të bëhet sa më shpejt është Kosova e Shqipëria, jo vetëm e njohin mirë njëra-tjetrën, por kemi besimin e plotë tek njëra-tjetra”.
Më tej, Kurti bëri të ditur se gjatë takimit me Ramën biseduan për të gjitha fushat e qeverisjes së mirë dhe u zotuan se e shikojnë tejet të rëndësishëm sinkronizimin gjithandej.
“Në takimin e sotëm biseduam edhe për avancimin e marrëveshjeve ekzistuese ndërmjet dy qeverive tona. Nga viti 2014 e deri tani janë mbajtur 6 mbledhje të përbashkët mes dy qeverive ku janë nënshkruar 150 marrëveshje, memorandume dhe protokolle. Biseduam edhe për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, për të cilën u vendos të fillojnë përgatitjet nga dy kabinetet tona, me synimin që mbledhja e përbashkët të jetë në gjysmën e dytë të muajit nëntor”, – theksoi Kurti.
Kryeministri Kurti tha se “njëkohësisht u dakorduam që të kemi edhe një sekretariat koordinues për marrëdhëniet tona bilaterale, i cili do të udhëhiqet nga Gentian Sala që ka dy pasaporta atë të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës”.
Rama: Ballkani i Hapur pëshpejton procesin e Berlinit
Rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës në Jarinjë dhe Bërnjak, po mbahen të bllokuara nga serbët lokalë në shenjë kundërshtimi për vendimin e Kosovës për reciprocitet lidhur me targat e automjeteve.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës në Prishtinë takoi edhe udhëheqësit e partive politike opoziare. Ai foli sërish për nismën “Ballkanit të Hapur’, ku sipas tij, kjo do ta përshpejtojë edhe procesin e Berlinit.
“Unë jam i bindur edhe më tepër sot që Ballkani i Hapur është i vetmi drejtim strategjik që ne të mos ngecim në të shkuarën, dhe t’i marrim vetes maksimumin, si shqiptarë dhe si rajon. Liria e lëvizjes së njerëzve, të mallrave dhe të kapitaleve. Është më e mundur që të ketë sukses edhe dialogu nga klima që krijohet nga Ballkani i Hapur. Kjo nuk është asgjë, pos marrja në zotërim të procesit të Berlinit dhe përshpejtimi i tij” tha Rama.
“Vëllain dhe fqinjin nuk i zgjedh. Me vëllain të lidh familja dhe gjaku, me fqinjin lidhesh pasi e ke aty”, tha kryeministri i Shqipërisë, pas shumë përplasjeve në distancë që kishte me kryeministrin e Kosovës.
Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar një nismë të quajtur “Ballkani i Hapur”, në të cilën refuzojnë të jenë pjesë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja.