Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Vlora se qeveria po punon intensivisht me investimet në energji, ndërsa theksoi se projekti i lidhjes së TEC-it me TAP do ta kthejë Vlorën në një pikë nevralgjike për energjinë.
Gjatë prezantimit të investimeve publike të kryera në bashkinë Vlorë, Kryeministri solli në vëmendjen mburojën financiare të vendosur nga qeveria për të mbrojtur konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël nga rritja e çmimit të energjisë, gjë që sipas tij ka bërë edhe që Shqipëria të ketë inflacionin më të ulët në rajon.
“Ne do t’i përballojmë këto të këqija të mëdha që nuk i kemi zgjedhur, nuk i kemi dashur, por nuk do të heqim dorë nga ambiciet dhe objektivat tona. Shqipëria që ne e morëm në kujdes kur morëm qeverinë kishte rrjetin e shpërndarjes të energjisë elektrike të kohës së Enver Hoxhës, së viteve të elektrifikimit, ku nuk ishte investuar kokërr leku dhe me humbje katastrofike mbi gjysmën e prodhimit”, tha Rama.
Ndërkohë, ai siguroi se vendi nuk do të vazhdojë dhe për shumë kohë të dalë në tregjet ndërkombëtare për të blerë energji.
“Ne do të arrijmë që energjinë ta prodhojmë të tërën atë që na duhet këtu në vend dhe një pjesë të saj t’ua shesim ne të tjerëve, jo ata ne. Kjo kërkon kohën e vet, durim, por ne jemi ndërkohë duke i hedhur hapat”, tha Rama.
Në këtë drejtim, ai solli në vëmendje se ka filluar ndërtimi i parkut më të madh me energji diellore në rajon, në Karavasta.
“I njëjtë me të është edhe parku me energji diellore i Spitallës. Po ecim para me Skavicën që do të na garantojë që të mos ketë kurrë asnjë pikë uji që derdhet për të përmbytur tokat kur ka më shumë reshje. Po ashtu TEC-i i Vlorës që u la gërmadhë prej shumë vitesh, se u bë një investim totalisht i gabuar e i dështuar. Ne po e vëmë në punë me një nga kompanitë më të mëdha amerikane me gazin e lëngshëm”, tha Rama.
Kryeministri informoi se po bëhet edhe projekti për të lidhur Vlorën me TAP, që Vlora të kthehet përmes TEC-it në një pikë nevralgjike për energjinë. Jemi në kushtet kur po ecim me shumë këmbëngulje për kërkimet për naftë e gaz në territorin e vendit. Kemi 3 pika kryesore, një ndër të cilat më e avancuar, pika në Shpirag, ku është zbuluar një sasi e konsiderueshme nafte dhe gazi dhe ku presim në fillim të vitit të ardhshëm që të dimë rezultatin përfundimtar për sa i përket tregtimit”, shtoi Rama.
Po ashtu, ai theksoi se sapo kemi rënë dakord me Presidentin e Azerbajxhanit për të ndërtuar në Shqipëri një rafineri që do t’i japë fund edhe varësisë që ne kemi për sa i takon naftës për konsum në vend.