Kryeministri Edi Rama nga sheshi ‘Skënderbeu’ tha se mandati i tretë do të jetë mandati më i fortë i një shumice qeverisëse. Rama tha po ashtu se nëse do të arrijnë që bashkojnë forcat me PD-në, kjo dekadë do të hyjë në histori.
Kjo është fitorja më e vështirë, më e madhe, më e bukur e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme të atyre që kanë zgjedhur 12, por kanë gabuar me kandidatin, ne e kemi thyer rekordin tonë. Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe me fuqi të jashtëzakonshme dhe që nuk ka të dytë në këtë vend. Urime me gjithë shpirt dhe një përqafim të madh të gjithëve ju këtu dhe kudo.
Unë jam sot krenar si asnjëherë për ju, që u angazhuat si patronazhistë, koordinatorë, drejtues në këtë fushatë spektakolare. Skudara jonë mbetet kampione në fuqi, kampione përsëri! Por më shumë se asnjëherë jam krenar për shqiptarët, që me urtësi dhe votën e tyre kaluan një provë të madhe karakteri.
Shqipëria votoi, Shqipëria vendosi, Shqipëria fitoi! Fitoi karakteri ynë si një forcë e pathyeshme përballë fatkeqësive dhe bindja ynë se ky vend bëhet dhe është përgjegjësia jonë ta bëjmë këtë vend.
Kjo është fitorja ime e parë pa dikë që po më sheh atje lart. Nëna ime Aneta. Dhe besoj se është krenare!
‘Mandati i tretë është mandati më i fortë që një shumice qeverisëse ka pasur ndonjëherë. Ne do ta realizojmë këtë megaprojekt me shumicën dërrmuese. Nëse arrijmë që ti bashkojmë forcat me PD-në kjo dekadë do të hyjë në histori. Unë kam lindur shqiptar, nuk kam lindur socialistë. Për mua demokratët janë shqiptar, pastaj janë demokratë. Këtu sot mungon dikush që punoi për këtë fitore, miku i shtrenjtë, Bashkim Fino. E imagjinoj këtu bashkë me ne, duke festuar për fitoren tonë të mrekullueshme. Por, u desh të ikte nga kjo botë, Bashkimi ynë i dashur, që të gjithë të bashkoheshin e të kujtoheshin se vdiq një shqiptar i mirë. Mallkimi i së shkuarës nuk na ka lejuar kurrë që në skenën e politikës të jemi bashkë në të gjallë. Vetëm në ditët e zeza kemi mundur të mendojmë se nëna nuk na ka bërë për t’u bërë ujq për njëri-tjetrin. Ndasia tjetër është ajo që duket edhe sot në hartën elektorale. Mjafton të dallosh ngjyrat, një ndasi e kuptueshme për Shqipërinë e lëngatave. Kjo është fiks ora për t’ia shtrirë dorën PD, duke e bërë të qartë se mandatin e tretë duam t’ia kushtojmë bashkimit, jo ndasive, punëve, jo sherreve. Politika na ka ndarë, politika mund të na bashkojë, sepse politika është e vetmja në tokë, që di t’i bëjë të dyja.
Që njerëzit e dalë nga pylli të mos hanë njëri-tjetrin, por të bëjnë gjëra që të vetmuar nuk i bëjnë dot. Edhe Shqipërinë, në majën ku Zoti e deshi kur e krijoi, politika e ka penguar të ngjitet dhe politika mund ta cojë. Prandaj, le të përpiqemi ta vëmë politikën më shumë se asnjëherë më parë në dispozicion të Shqipërisë, të amanetit të rilindësve dhe heronjve tanë, të borxhit që u kemi fëmijëve tanë. Shqipëria është shumë e vogël për të mos u bërë dot ajo që meritojnë shqiptarët. Shqipëria bëhet dhe do ta bëjmë ne, shqiptarët e kësaj dekade. Do të rinisim punën që nesër me një vrull të ri, nga shërimi i plotë dhe i shpejtë i krejt plagëve të tërmetit dhe shporrja e armikut të padukshëm, ta luftojmë me një ambicie të re armikun brenda vetes, që na tërheq në rrugën e ndasisë e të sherrit. Shqipëria fitoi më 25 prill, tani është radha jonë të fitojmë cdo ditë për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve. Zoti qoftë i duruar me ne dhe ne të duruar me njëri-tjetrin. Rroftë PS, rroftë i madh e i vogël që ka lindur shqiptar. Rroftë Shqipëria!’, tha Rama.
“Basha dhe PD ishin në skuadër e mirë, demokratët ishin kundërshtarë jo shumë të lehtë që mendojnë vlerësim për përpjekjen për të arritur të paarritshmen për ta. Më shumë se kaq nuk bëni dot, madje bën më shumë, se të mundës PS është më ë vështirë se mundësh Barcelonën e Pep Guardiolës. Mesazhi im është pranoje humbjen me dinjitet dhe me bindjen se bëre sa munde. Miq demokrat jemi më të mirë, ju jeni më të mirët pas nesh, ky është fak dhe faktet pranohen, nuk luftohen, nuk më takon mua dhe nuk është përgjegjësia as e drejta jonë të vendosim se si do e pranoni, nëse do jetë apo jo Basha në 4 vite e ardhsme është puna juaj, por me apo pa Bashën, opozita jonë është vetja jonë. Shtrijmë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë dhe konkret pa asnjë paragjykim.Nuk na ndajnë qëllimet madhore, ne duam integrimin në BE, por duke e bërë hendek balte dhe armë për të qëlluar apo asgjësuar njëri tjetrin, ky qëllim nuk shpejtohet. Socialist e demokrat duan nga të dyja palët që ta rrisin ekonominë dhe mirëqënien, por duke nxirë me komunikim, rritja e komunikimit nuk e shpejton, përkundrazi. Ne duam që askush të mos largohen, por në një shtëpi ku të rinjtë bëjnë sherr, fëmijët i mban prej zoti dhe jo prej qejfit. Pra nuk mjafton si në një garë se sa e duam Shqipërinë, jemi më të mirë nga sa duket sesa kur i hidhemi në fyt njëri tjetrit, apo bëjmë lojëra me njëri tjetrin. Ky është vendi ynë dhe këtë vend nuk mund ta duam me pjesë. E di mirë dhe e kam të qartë që ta thuash këtë është shumë e lehtë, shumë më e lehtë se ta bësh, jam më i gatshëm se asnjëherë tjetër që të përpiqem me forcat e mia edhe ta bëj, por nuk mjafton vullneti i fituesve, por duhet edhe vullneti i atij që çdo drejtojë PD në 4 vitet e ardhshme”, tha Rama.