Sot shënohen 12 vjet nga 21 Janari, ku gjatë protestës paqësore të Partisë Socialiste mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Kryeministri Edi Rama, ministra, deputetë të Partisë Socialiste, familjarët e 4 protestuesve të vrarë, si dhe qytetarë, zhvilluan sot homazhe për viktimat e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Me karafila të kuq në duar, ata përkujtuan 4 të vrarët në protestën e 21 janarit 2011. Bashkë me kryeministrin, familjarët u përkulën për të vendosur lule në pllakat përkujtimore, që ndodhen në vendet ku ata u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë.
Sot shënohen 12 vite nga 21 Janari 2011, dita kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.
Për vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës, Gjykata e Apelit të Tiranës dënoi ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit burg dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite e pak muaj.
Prokuroria e Tiranës vendosi në qershor të 2021 rifillimin e hetimeve për vrasjen e Aleks Nikës, hetim i cili ishte pezulluar pasi nuk kishte asnjë autor të dyshuar për të.
Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj janë shpallur nga qeveria e Republikës së Shqipërisë “Dëshmorë të Atdheut”.