Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria dhe Japonia kanë bashkuar forcat për të mbështetur Ukrainën.
Në një deklarate të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida, në Tokio, kryeministri Rama foli për bashkëpunimin për të dënuar agresionin rus në Ukrainë.
“Ne jemi bashkë në Këshillin e Sigurimit dhe siç thatë ju, ne kemi bashkuar forcat për të mbështetur Ukrainën dhe bashkërisht dënojmë agresionin rus. Është një shkelje totalisht e papranueshme e së drejtës ndërkombëtare dhe një sulm totalisht i papranueshëm ndaj integritetit territorial të një vendi tjetër. Kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë krah për krah me miqtë dhe aleatët japoneze në Këshillin e Sigurimit dhe jemi shumë të nderuar që e bëjmë këtë”, tha Rama.
“Siç e përmendi kryeministri, ne e kemi parë me shumë interes strategjinë e Mbrojtjes Kombëtare që ai ka bërë dhe i shpreha vlerësimin tim më të thellë për këtë dokument të thellë që mbulon çështjet e kësaj kohe të vështirë në një mënyrë shumë frymëzuese”, u shpreh Rama.
Në fund, kryeministri Rama ftoi homologun japonez për të vizituar Shqipërinë.
Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida deklaroi sot se, do të nxisë zgjerim të eksporteve nga Shqipëria dhe të investimeve nga ana e Japonisë.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Kishida vlerësoi vizitën e delegacionit shqiptar në Japoni për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Unë e mirëpres me gjithë zemër kryeministrin Rama për vizitën e tij në Japoni. Është hera e parë që pas 15 vitesh një kryeministër shqiptar vjen në Japoni. Japonia dhe Shqipëria janë vende me mendësi të ngjashme, të cilat kanë të përbashkëta vlera thelbësore. Dy vendet tona shërbejnë si anëtare jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë këtij viti. Unë pata mundësi të bëj një shkëmbim pikëpamjesh me zotin Rama mbi marrëdhëniet dypalëshe si dhe mbi çështje të ndryshme ndërkombëtare”, tha ai.
Po ashtu, Kryeministri i Japonisë, Kishida the se, një tjetër diskutim ishte në lidhje me importet nga Shqipëria drejt Japonisë dhe investimet nga ana e Japonisë.
“Në fushën ekonomike, ne diskutuam lidhur me importet nga Shqipëria drejt Japonisë dhe krijimin e Dhomës së Tregtisë mes Shqipërisë dhe Japonisë. Ne kemi shpresë se vizita e zotit Rama këtë herë do të nxisë një zgjerim të eksporteve nga Shqipëria dhe të investimeve nga ana e Japonisë”, tha Kishida.