Kryeministri Edi Rama u nderua sot me “Urdhrin e Minervës” për kontributin e tij ndaj shtetit italian gjatë pandemisë së COVID-19, nga një prej universiteteve më prestigjioze, “Gabriele d’Annunzio”, në Pescara të Italisë, pas miratimit unanim të senatit akademik të këtij ateneu.
Urdhri Akademik i Minervës është krijuar nga Universiteti “Gabriele d’Annunzio” në vitin 1986 me propozimin e rektorit të asaj kohe, profesor Uberto Crescenti, me qëllim që t’i atribuohej njohja akademike studiuesve dhe personaliteteve nga bota e kulturës, ekonomisë dhe shkencave. Dekorimi i urdhrit përbëhet nga një medalje ari dhe nderimet bëhen nga rektori gjatë një ceremonie akademike.
Këtë vit, gjatë inaugurimit të vitit akademik, rektori Sergio Caputi propozoi kryeministrin Edi Rama për kontributin e tij ndaj shtetit italian gjatë pandemisë së COVID-19. Çmimi i është dhënë autoriteteve më të njohura në nivel botëror si Papa Ratzinger, Piero Angela, Sergio Marchione, Bruno Vespa, etj.
Ky titull nderi iu dorëzua Kryeministrit Rama në një ceremoni të organizuar enkas, në mjediset e këtij Universiteti nga rektori Sergio Caputi, i cili shprehu mirënjohjen e thellë për solidaritetin konkret të treguar ndaj Italisë, në atë periudhë tejet të vështirë të pandemisë së COVID-19.
Ceremonia u hap me himnin kombëtar të Shqipërisë dhe atë të Italisë.
Për të pranishmit në sallë, u sollën fillimisht në vëmendje përmes një videoregjistrimi momente nga përcjellja e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë drejt Italisë, për t’i ardhur në ndihmë në periudhën e pandemisë së COVID-19. “Edhe vendet e pasura u kanë kthyer kurrizin të tjerëve, por mbase ngaqë nuk jemi të pasur dhe nuk na ka lënë kujtesa nuk mund të lejojmë që të mos i tregojmë Italisë që ne nuk e braktisim mikun në vështirësi”, shprehej kryeministri Rama në atë kohë.
Duke marrë fjalën në ceremoninë e organizuar, kryeministri u ndal te përjetimet që ndjeu kur u informua se do të bëhej pjesë e Urdhrit Akademik të Minervës.
“Po e çel fjalën time me një parantezë, asnjëherë nuk është një ide e mirë të ftosh një ballkanas dhe t’i kufizosh kohën për të folur. Gjithsesi, do të përpiqem të mos jem i mërzitshëm edhe pse jam tejet i emocionuar dhe besoj se zëri im e tregon shumë më shumë se sa fjalët e mia. E mora ftesën për të marrë pjesë në këtë seancë të vitit akademik pranë Universitetit famëmadh ‘Gabriele d’Annunzio’ të Chieti-t, Pescara, me kënaqësi të madhe, por dua t’ju rrëfej, jo pa njëfarë droje e gati pasiguri. Ndrojtja më kaploi kur m’u bë me dije se do të merrja këtë Urdhër akademik të Minervës, Mbretëresha e Mençurisë dhe Mbrojtësja e Dijes. Mençuria është një cilësi, që, siç e dini, jo gjithmonë karakterizon atë që merret me politikë, madje do të thosha ndodh e kundërta. Për të përdorur një eufemizëm këtu, pasi faktikisht nuk e karakterizon asnjëherë”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se “ndonëse dikur pjesë e një ateneu universitar, si profesor i arteve të bukura, prej kohësh tashmë e kam braktisur urdhrin kalorsiak të akademikëve dhe, mendoni pak, jam i vetmi anëtar i qeverisë që nuk zotëroj një titull akademik të lartë”.
“Ndaj nuk kam ëndërruar kurrë, as në të shkuarën time si artist, por as në të tashmen time si politikan, “të takoja” personalisht Minervën, e, megjithatë duket sikur ka qenë vetë Minerva që më ka kërkuar e më solli në Chieti për të marrë këtë titull nderi që më është akorduar me një motivacion konkret, në shenjë mirënjohjeje për atë çka Shqipëria ka bërë gjatë periudhës së emergjencës COVID në Itali, me dërgimin e mjekëve dhe të personelit ndihmës dhe të infermierëve në vendin tuaj”, tha ai.
Kryeministri theksoi se ky ishte një gjest instiktiv, njerëzor, i thjeshtë.
“Për të thënë të drejtën nuk jam fort i bindur nëse vendimi i qeverisë shqiptare kishte të bënte me dijen apo me mençurinë, do të thoja se, më tepër, ka qenë një gjest instiktiv, njerëzor, i thjeshtë, një instikt moral i ngjashëm me atë që frymëzon betimin modern të Hipokratit, duke vëne mjekët dhe mjekësinë në shërbim te jetës dhe të shëndetit pa u ndalur asnjëherë përballë faktit nëse ishin jetë të këtej apo të përtej kufijve shtetërorë, të këtej apo përtej Adriatikut. Ishte një ndihmë simbolike, padyshim e pamjaftueshme për të ndryshuar fatet e luftës së egër me armikun e padukshëm, por thelbësor si një gjest dashurie dhe solidariteti, për t’i treguar Italisë se ne ishim aty, me mendje e me atë çka mund të ofronim duke e ditur, apo duke besuar se Italia do të kishte bërë të njëjtën gjë siç edhe, në periudha të tjera, e ka bërë”, tha ai.
Rama vlerësoi se “historiku i marrëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë është i hershëm, por edhe i ndërlikuar, me rrënjë të thella, ku historia jo gjithmonë ka qenë bujare me popujt tanë e, megjithatë, pavarësisht ngjarjeve ndonjëherë të dhimbshme, një histori e shënuar nga gjeste të rëndësishme dashurie dhe solidariteti të ndërsjellë”.