Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në 1 maj nis epoka e re e shërbimeve pa sportele.
Në aktivitetin informues të mbylljes së sporteleve të shërbimeve publike dhe kalimin e tyre online, Kryeministri tha se “Shqipëria ka hyrë në elitën e vendeve më të zhvilluara për qeverisjen digjitale, dhe është ndër të parat që i ofron shërbimet me dokumente përmes platformës kombëtare digjitale”.
“Ky është një stacion historik Revolucionit Digjital ku mbarojnë radhët, zvarritjet dhe bakshishet e një epoke, që ka mbërritur në hapat e saj të fundit”, tha Rama.
Rama tha se “ky është një ndryshim kolosal që është edhe e bukura e kohës që jetojmë, koha e teknologjisë dhe digjitalizimit”.
“Në një epokë tjetër do të ishim të detyruar t’i hidhnim hapat gradual, por kjo kohë të jep mundësinë t’i hedhësh hapat në mënyrë eksponenciale. Mund të kapërcesh vite të tëra në një vit të vetëm”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “sot Shqipëria ka shkuar në vendin e 17-të për shërbimet digjitale dhe mbrapa nesh janë vende shumë më të zhvilluara se ne”.
“Çuditërisht ka edhe një element tjetër ku moszhvillimi i mëparshëm është avantazh në krahasim me zhvillimin e mëparshëm të disa vendeve. Gjermania, për shembull, ka një debat të madh, sepse nuk po ecën me ritmin si vendet e tjera për digjitalizimin. Kjo pasi Gjermania ka një makineri perfekte shtetërore, shumë të madhe e të rëndë, që është shumë e vështirë ta kthesh në një makineri që bazohet te sistemet digjitale. Ne duke mos e pasur atë makineri e kemi pasur shumë më të thjeshtë të ecim me shpejtësi para duke shfrytëzuar teknologjinë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se nga 1 maji nuk do të ketë më letra e sportele, shërbim me kontakt fizik për 95 % të shërbimeve.
“Vendimi është i prerë, në 30 prill nuk ka më sportele në Republikën e Shqipërisë dhe të jeni të sigurt që kjo do të funksionojë, edhe pse në fillim mund të ketë disa ngërçe e shqetësime. Do ketë njerëz që nuk do të mund ta dinë se si e qysh mund ta marrin shërbimin, por nevoja do t’i bëjë që ta mësojnë. Kur me aplikimet digjitale të Fondit të Mbështetjes për Bujqësinë ne kemi shumëfishuar me shumë herë aplikimet nga fermerët që nga zonat më pranë qyteteve, deri në skajet më të largëta, nuk ka nevojë për shembull tjetër. Fermerë edhe nga zona shumë të largëta e gjejnë rrugën dhe mundësinë për të aplikuar”, tha Rama.