Kryeministri Edi Rama mbërriti sot në Bruksel ku mbahet mbledhja e 11-të e Këshillit të Stabilizimit dhe Asocimit midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.
Kreu i qeverisë, i shoqëruar nga kryenegociatori i Shqipërisë për BE, Zef Mazi, sekretari i përgjithshëm i PS, Taulant Balla dhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka u prit nga shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe Komisioneri për Zgjerimin e BE, Oliver Varhelyi.
Në ora 14:00 pritet dalja në konferencë shtypi e Kryeministrit Edi Rama me Josep Borell zëvendës president i Komisionit Europian nga ku do të bëhen publike konkluzionet e mbledhjes të Këshillit të Stabilizim Asocimit.
Në Bruksel, kryeministri Edi Rama shoqërohet nga Olta Xhaçka, ministre për Europën dhe Punët e jashtme si dhe kreu grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Më herët përmes një postimi në Facebook, deputeti socialist Taulant Balla paralajmëroi lajme shumë të mira për Shqipërinë nga takimi që po mbahet në Bruksel.
“Sot në Këshill, Parlament dhe Komision. Shumë i nderuar të takohemi përsëri në Parlamentin Europian me Presidentin e Parlamentit Europian David Sassoli, Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian Isabel Santos (Grupi Socialist dhe Demokrat), me Zëvendës Presidentin e Grupit të Partive Popullore Europiane Andrei Kovatchev dhe me Kryetarin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri Manolis Kefalogiannis. Lajme shumë të mira kemi sot”, shkroi kreu i grupit socialist në Facebook.