Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot në Bruksel një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, me të cilin diskutoi progresin e bërë në procesin e negociatave, ku Shqipëria hap sot një tjetër grup-kapitujsh në Konferencën e katërt Ndërqeveritare.
Në një prononcim të përbashkët për medie nga Brukseli para takimit, Rama informoi se temë e takimit janë edhe përgatitjet e Samitit të Komunitetit Politik Europian më 16 maj, si edhe situata në rajon, ku Presidenti do të bëjë vizitën e tij të parë zyrtare në vigjilje të këtij samiti.
“Jam shumë i kënaqur që gjendem këtu me Presidentin e Këshillit Europian i cili me mençurinë e vëmendjen e tij ndaj vendit e rajonit tonë është diçka që e vlerësoj shumë. Sot sigurisht është një ditë shumë e mirë për ne, sepse kemi një tjetër Konferencë dhe çelim kapituj të tjerë, ndërkohë që me Presidentin jam shumë mirënjohës për kohën që më ka kushtuar për të zhvilluar një bisedë rreth përparimit që ne po bëjmë në këtë proces”, tha Rama.
Samiti i ardhshëm i Komunitetit Politik Europian, sipas Ramës, është një eveniment shumë, shumë i rëndësishëm në përgjithësi por ka një rëndësi të posaçme në këtë moment dhe në këtë kohë.
“Sigurisht edhe do të flasim për rajonin ndaj të cilit Presidenti është veçanërisht i përkushtuar. Kështu që ka shumë për të diskutuar, por në përgjithësi jam shumë, shumë i inkurajuar nga këto zhvillime”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit që është shumë ambicioz për të mbyllur të gjitha negociatat brenda vitit 2027”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e cilësoi sot inkurajuese progresin që ka bërë Shqipëria në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në një prononcim për mediet pas takimit me kryeministrin Edi Rama, i cili ndodhet sot në Bruksel në kuadër të Konferencës IV Ndërqeveritare, Costa tha se “zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor është një përparësi e qartë për Bashkimin Evropian dhe është investimi më i rëndësishëm gjeostrategjik për paqen, begatinë dhe stabilitetin e kontinentit tonë”.
“Sot po çelim një grup-kapitull tjetër dhe ambicia jonë është të çelim dhe më tej grup-kapitujt për t’u negociuar gjatë këtij viti, sepse kemi një kalendar shumë konkret dhe duam të realizojmë dhe kjo është shumë e rëndësishme për BE-në dhe për Shqipërinë dhe kjo është një shenjë mjaft e rëndësishme edhe për rajonin, sepse mënyra më e mirë për të garantuar mirëqenien, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është me BE-në, anëtarësimin në të”, nënvizoi Costa.
Presidenti i Këshillit Evropian bëri të ditur se në mesin e muajit maj do të vizitojë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ja pse do vizitoj personalisht rajonin në mes të muajit maj për të vizituar të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor për të rritur bashkëpunimin dhe përpjekjet tona të përbashkëta për të pasur rezultate të mira të anëtarësimit”, theksoi Costa.
Nga ana tjetër, vijoi Costa, kjo është një mundësi shumë e mirë për të folur për Samitin e Komunitetit Politik që do të mbahet më 16 maj në Tiranë.
“Evropa është më shumë se BE gjithmonë e më shumë është e rëndësishme që të jemi të gjithë së bashku të bashkuar, sepse të bashkuar jemi më të fortë dhe bota ka nevojë për një Evropë më të fortë”, përfundoi Costa.
/Argumentum.al