Kryeministri Edi Rama ishte sot i ftuar kryesor në ceremoninë tradicionale të çmimit “Karli i Madh” që u zhvillua në Aachen, Gjermani.
Kryeministri Rama u ftua të mbajë fjalën kryesore në ceremoninë tradicionale, gjatë së cilës u ndal te toleranca duke sjellë në vëmendje shembullin e Shqipërisë me shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Çmimi i Karlit të madh, (Charlemagne Prize) konsiderohet si një nga nderimet më të rëndësishme europiane dhe që prej vitit 1950, me këtë çmim janë nderuar individë dhe institucione me kontribut të spikatur në bashkimin dhe përparimin e Evropës.
Këtë vit, çmimi ndërkombëtar “Karli i Madh” i akordohet Kryerabinit Pinchas Goldschmidt, President i Konferencës së Rabinëve të Evropës, për rolin e tij të rëndësishëm në promovimin e dialogut dhe tolerancës ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare në Evropë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë tradicionale të akordimit të çmimit ndërkombëtar “Karli i Madh”
“Toleranca, i dashuri im inxhinier është një temë shumë e gjerë për ty që të merresh”. Kjo është ajo çfarë humanisti Settembrini i thotë Hans Castorp, protagonistit kryesor të romanit të Thomas Mann-it, “Mali Magjik”. Castorpi është një profesionist më pak i prirur filozofikisht sesa Settembrini, dhe më i orientuar për të zgjidhur problemet e botës reale. Ai ka shkaktuar zemërimin e italianit, duke i vënë në pikëpyetje zgjidhjen e tij për problemin e mostolerancës.
Një federatë kozmopolite, me qeveri liridashëse, të cilat mund të administrojnë me paanësi drejtësinë. Po si mund të funksionojë? Kjo zgjidhje për të tejkaluar mosmarrëveshjet e thella midis njerëzve, përfshi ato fetare, mendonte ai.
Thomas Mani e nisi “Malin Magjik” pak përpara Luftës së Parë Botërore, shpërthimit të saj dhe e përfundoi kur asaj i kishte ardhur fundi pas masakrës më të madhe njerëzore që historia kish dëshmuar ndonjëherë. Romani është i vendosur në Davos, i njohur për ne sot, jo për shkak të sanatoriumit në të cilin zhvillohen dialogët e Manit, por për shkak të Forumit Ekonomik Botëror, edhe pse shumë shpesh flitet mjaft për sëmundje, për sëmundjen europiane, edhe në Davosin bashkëkohor. Kundërshtia e ideve midis humanistit progresiv Settembrini dhe Naphtas reaksionare autoritare që zë pjesën kryesore të romanit të Mann-it, është kthyer për ta përndjekur Europën, Europën në të cilën jetojmë.
Iluminizmi kundrejt autoritarizmit, arsyeja kundrejt pasionit, besimi në kritikë kundrejt nënshtrimit të verbër, ndaj dogmave janë tashmë sërish, jo vetëm tensione filozofike, por çështje me të cilat duhet të gjithë të përballemi politikisht është një kundërshti që nuk kufizohet thjesht në botën e librave, por që shfaqet në rrugë, në institucionet arsimore, në parlamente e midis qeverive.
Unë besoj se duhet t’i rezistojmë tundimit për të menduar se është një temë shumë komplekse edhe për ne që të merremi, por ç’formë mund të marrë toleranca në një epokë të një mostolerance në rritje si ajo në të cilën jetojmë? Tolerimi, këmbëngulte Settembrini në Malin Magjik, mund të përbëjë krim, kur zbatohet edhe për të keqen dhe këtu duket sikur hasemi me një dilemë: të tolerosh të keqen rrezikon ta lejosh atë të shumëfishohet.
E megjithatë, t’i frikesh së keqes më shumë se ç’duhet, rrezikon të shumëfishojë mostolerancën.
Ç’formë tolerance duhet të parashikojmë që të parandalojë të keqen si në botë, ashtu edhe brenda vetes sonë. Si mundet dikush ta shohë djallin në sy pa nisur t’i ngjajë atij.
Për shumicën e historisë së Evropës, toleranca ka qenë e mbështetur në qëndrimin e epërsisë së civilizimeve, gjë që kemi bërë mirë që e kemi braktisur. Ishte një tolerancë, e cila mbështetej te përdorimi i forcës.
Karli i Madh, emrin e të cilit mbart ky çmim luajti një rol kyç në formësimin e historisë së Europës, ai ishte jo vetëm një strategjist ushtarak i aftë e një burrë shteti i mençur, por po kështu ai që propozoi shkëmbimin kulturor dhe ndriçimin intelektual. Emri i tij lidhet me disfatën përfundimtare të barbarëve dhe rivendosjen e vlerave humaniste të Perandorisë Romake në Perëndim, pavarësisht suksesit në fushatat ushtarake Rilindja Karolinge në arte, në poezi, në interpretimin e biblës i kishte rrënjët te bindja se arma më e fuqishme që na është vënë në dispozicion është arsimi dhe se duhet që diversitetin ta mirëpresim më shumë se ta kemi frikë.
E megjithatë, Karli i Madh, ati i Europës moderne, ishte po kështu një njeri, i cili i bashkoi interesat e kishës me interesat e shtetit, duke imponuar konvertimin e detyruar të popujve të pushtuar si sllavët e saksonët.
Nën sundimin e tij, herezia u shndërrua në krim publik, një “ lese majeste” tradhti ndaj mbretit.
Në fund të fundit, qëndrimi i tij i tolerancës shkonte krah për krah me bindjen e patundur të epërsisë së një dhe vetëm njërit këndvështrim për botën.
Gjatë rrjedhës së historisë, Europa ka mësuar si të jetë më shumë vetëkritike sesa lëvduese për civilizimin e saj. Kjo nuk është diçka e keqe. Nuk flasim më për barbarë kundrejt popujve të civilizuar, edhe pse tundimi i disave që t’u kthehen këtyre kategorive bëhet më i fortë dita-ditës.
Një frymë shkatërruese ka hyrë në mendjet e njerëzve, armiqësie e shprehur qartë, ndaj pikëpamjeve ndryshe, prirja për të censuruar, dëshira për të djegur, në vend se të ndërtojmë janë të gjitha mjaft të dukshme.
Në botën tonë, t’u lësh mbresë atyre që tashmë mendojnë njësoj, polarizon debatin deri në pikën e shkatërrimit. Qëndrimi “ose ti ose unë, por asnjëherë së bashku”, bëhet e vetmja mënyrë për t’u angazhuar. Jam mjaft me fat që vij këtu nga një vend, i cili krenohet me frymën e vjetër të tolerancës shoqërore, me bashkëjetesën e ndërsjellë të besimeve të ndryshme fetare myslimane, ortodokse, katolike, madje edhe ateistët, të cilët ata që shkruan për tolerancën, shpesh i panë si më të vështirët për t’i përfshirë.
Shqipëria, një vend me shumicë myslimane, ishte i vetmi vend në Europë që kishte më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore sesa përpara se ajo të niste.
Disa prej bashkëqytetarëve të mi dhe vetë Shqipëria njihen si të drejtë mes kombeve, në një kohë kur njerëzimi po shkatërrohej gjithkund.
Për shqiptarët, toleranca nuk ishte thjesht një pranim pasiv a një njohje me zor e diversitetit të dikujt, mes shumë historive të jashtëzakonshme të tolerancës aktive të vendit tim gjatë shpëtimit të hebrenjve, dua të ndaj një histori që përfshin dy individë të dëbuar në Gjermaninë naziste nga Shqipëria, ku nuk ka asnjë të dhënë të asnjë hebreu të vetëm, të kapur apo të dorëzuar te nazistët, pavarësisht se humbën jetën si hebrej, midis miliona hebrenjve, këta dy persona ishin në fakt myslimanë.
Kur nazistët mbërritën në derë në kërkim të dy hebrenjve të fshehur në shtëpinë e tij, në vend që të rrezikonte që ata të kontrollonin gjithë banesën duke mohuar pranë e tyre, shqiptari me qetësi u kërkoi nazistëve që të prisnin, ndërkohë që nxori dy persona jashtë. Duke mbajtur premtimin e tij për të mbrojtur hebrenjtë me nderin e vet, plaku i vjetër më së fundi u dorëzoi nazistëve dy djemtë e tij duke i bërë të mendonin se këta të rinj ishin personat që kërkonin. Të dy vëllezërit nuk folën dhe patën fatin e hebrenjve në kampin Bergenbelsen duke mos zbuluar kurrë identitet e tyre të vërtetë.
Vetëm të tolerosh ashtu siç shkruante një poet gjerman lindur jo larg këtej, Ghoete (Gëte), është të fyesh. Ajo çka nënkuptonte ai është se toleranca duhet të jetë e rrënjosur në respekt, duhet të çoje në pranim të ndërsjellë , përndryshe mbetet e pasinqertë he sipërfaqësore. Është një qëndrim aktiv, kërkon të luftosh për t’u njohur ashtu siç shqiptaret bënë kur erdhi koha. Funksionon me shembull si shembulli i tolerancës që kremtojmë sot, Kryerabini Pinchas Goldschmidt dhe më lini t’ju falënderoj për një nder të tillë dhe të falënderoj këdo që pati idenë çuditshme për të më ftuar këtu.
Nuk është vetëm tolerancë për hir të një bashkëjetese në paqe, por për vlerësim aktiv të njëri-tjetrit, të kuptuarit se shkaqet për mosdakordësi nuk duhet të na çojnë në shkatërrim, por mund të shndërrohen në një dritare për ta njohur njeri-tjetrin më mirë dhe për t’u pasuruar vetë më shumë. Kjo formë tolerance, toleranca që shqiptarët dhe myslimanë e të krishterë shprehën ndaj hebrenjve, duke vendosur jetët në rrezik kundër së keqes e që unë shpresoj që një ditë do të përhapet në botë, kërkon frymën e vet të përkushtimit, kërkon angazhim me atë çka është ndryshe prej nesh, të zgjidhësh mosmarrëveshje me respekt të vazhdosh të ndërtosh ura, në mënyrë që të vazhdojmë të diskutojmë e të sfidojmë, por po kështu kërkon që ne të vazhdojmë të sfidojmë veten tonë duke reflektuar mbi mundësinë e njëanshmërive, paragjykimeve tona duke reflektuar mbi arbitraritetin dhe njëanshmërinë që ju dhe shumë të tjerëve duke pyetur në mënyrë të përhershme, duke vënë në mënyrë të përhershme në pikëpyetje standardet tona të dyfishta morale.
Toleranca kërkon që ne të dalim jashtë zonës sonë të rehatisë, jo thjesht të tolerojmë, por të tolerojmë me respekt, të tolerojmë aktivisht në mënyrë të hijshme, jo thjesht duke pranuar pikëpamjet e tjera, por duke u angazhuar në mënyrë të përhershme me kompleksitetin e historive tona.
Është toleranca që kurrë nuk resht së luftuari në armët e kritikës dhe autokritikës për të shmangur shkuarjen tek armët reale që do të na shkatërronin të gjithë.
Ndërkohë që qytetarët e Europës thirren të vendosin jetën e ardhshme, nuk janë llogoret ideologjike por shembujt e fuqishëm të tolerancës, të mishëruar nga rabini Pinchas Goldschmidt mund të shërbejnë si busull. Vetëm një formë tolerance që kurë nuk e braktis dialogun mes besimeve mund të mbrojë të mirën më të rëndësishme, përtej mosmarrëveshjeve tona te veçanta. Besimin që jemi të gjithë qenie njerëzore.
Në fund të Malit Magjik si humanisti Naphta, ashtu dhe konservatori Settembrini, përballen me njëri tjetrit në një duel, por asnjëri prej tyre nuk arrin ta bindë inxhinierin Castorp. Qëndrimi i secilit është i drejtë.
Autori Thomas Mann sugjeron se si mohimi abstrakt i forcave të errësirës ashtu dhe intoksikimi me to janë të dyja qëndrime të gabuara.
Castorp, personazhi kryesor refuzon të zgjedhë midis tyre. Ai largohet nga kjo betejë idesh në majë për tu kthyer në luftën reale në ultësirë. Një luftë që brenda pak dekadave do të krijojë kushtet për Holokaustin. Ndërsa toleranca ende mbetet një temë shumë komplekse. Me gjithë këtë gosti universale vdekje dhe ky tmerr kaq i skajshëm, pyet Thomas Mann në fjalinë e fundit të librit të tij, a mund të ndodhë që një ditë dashuria të ngrihet? Shalom!
Ju faleminderit!