Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Berlin për të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Socialiste Europiane.
Kryeministri informoi se “forcat politike progresiste nga mbarë Europa, mblidhen sot në Kongresin e PES-së ku do të diskutojmë se si të përballemi me sfidat e përbashkëta të së sotmes, nga inflacioni i luftës tek kriza e imponuar e energjisë, e me radhë me sytë nga e ardhmja e familjes sonë europiane”.
Nga datat 14-15 tetor në Berlin do të zhvillojë punimet Kongresi i PES.
Partia e Socialistëve Evropianë (PES) bashkon partitë socialiste, socialdemokrate dhe partitë laburiste të BE-së, bashkë me vendet fqinje të Unionit, si Britania e Madhe apo Norvegjia por të ftuar janë edhe partitë e majta të Ballkanit.
PES është platforma e përbashkët, ku bashkohen aktivistë, drejtues partish, sekretarë të përgjithshëm, liderë, organizata rinore, deputetë, eurodeputetë, komisionerë evropianë, ministra dhe kryeministra të partive socialiste, socialdemokrate, të punës dhe demokratike dhe organizata brenda Evropës./ata