Kryeministri Edi Rama deklaroi sot për mediet nga Shkodra ku u zhvillua takimi i punës mes qeverisë dhe bashkive të vendit se, “jemi në nevojën e madhe të rritjes së ritmit, të përshpejtimit të procesit të modernizimit të qeverisjes”.
“Sot kemi pasur një takim të zgjeruar të qeverisë me kryetarët e bashkive dhe me një sërë drejtuesish të disa agjencive që janë të lidhura edhe me funksionimin e pushtetit vendor dhe kemi diskutuar për një sërë temash me rëndësi, të cilat përbëjnë edhe pikat e referimit për ecurinë e mëtejshme të procesit anëtarësimit në BE, pasi është një proces që siç e kam thënë dhe nuk duhet të mërziteni nëse do ta dëgjoni ta përsëris shpesh, kërkon angazhimin, kërkon këmbënguljen dhe kërkon rezultate nga të gjithë, jo thjesht nga qeveria.
“Sepse nuk integrohet qeveria në BE, integrohet Shqipëria. Kjo do të thotë që puna e qeverisë është shumë e rëndësishme, por është një pjesë e punës, siç është një pjesë e punës puna e parlamentit, siç është një pjesë e punës puna e pushtetit gjyqësor, siç është një pjesë tjetër e punës, puna e pushtetit vendor, siç është një pjesë tjetër e punës, puna e sektorit privat, e medias e kështu me radhë”, theksoi Rama.
Fjala e Kryeministrit Rama në nisje të konferencës për shtyp:
Mirëmbrëma!
Shumë faleminderit për durimin e disave që kanë ardhur nga Tirana. Mirëse ju gjeta disave që janë këtu në Shkodër.
Sot kemi pasur një takim të zgjeruar të qeverisë me kryetarët e bashkive dhe një sërë drejtuesish të disa agjencive që janë të lidhura edhe me funksionimin e pushtetit vendor dhe kemi diskutuar për një sërë temash me rëndësi, të cilat përbëjnë edhe pikat e referimit për ecurinë e mëtejshme të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian pasi është një proces që, siç e kam thënë dhe nuk do të duhet të mërziteni nëse do ta dëgjoni ta përsëris shpesh, kërkon angazhimin, kërkon këmbënguljen dhe kërkon rezultate nga të gjithë, jo thjesht nga qeveria, sepse nuk integrohet qeveria në Bashkimin Europian, integrohet Shqipëria dhe kjo do të thotë që puna e qeverisë është shumë e rëndësishme, por është një pjesë e punës, siç është një pjesë e punës puna e parlamentit, siç është një pjesë e punës puna e pushtetit gjyqësor, siç është një pjesë tjetër e punës puna e pushtetit vendor, siç është një pjesë tjetër e punës puna e sektorit privat, e medias e kështu me radhë.
Kështu që, jemi në nevojën e madhe të rritjes së ritmit, të përshpejtimit të procesit të modernizimit të qeverisjes në të dyja nivelet si dhe të rritjes së cilësisë së kapitalit njerëzor.
Kemi diskutuar një sërë temash, siç thashë. Ministri për Pushtetin Vendor ka bërë një parashtrim duke u nisur nga momenti i fillimit të zbatimit të Reformës Administrative Territoriale, ku një sërë të dhënash mbi këtë reformë tregoi qartë që ka qenë gjëja e duhur, por nga ana tjetër kemi disa sfida me rëndësi, ndër të cilat kemi sfidën e përafrimit të performancës së njësive të pushtetit vendor me mbështetjen nga qeveria. Kemi sfidën e një mesatareje të arsyeshme të perfomancës në të gjitha bashkitë pasi ka nivele performance të ndryshme dhe kjo normal, por me diferenca ndonjëherë të forta.
Kemi domosdoshmërinë e rivlerësimit të nivelit të pagave të bashkive sepse sot bashkitë e Shqipërisë janë të ndara në 5 nivele, duke u bazuar tek numri i banorëve dhe këtyre 5 niveleve u përkojnë edhe nivelet e pagave. Ne do të kalojmë në dy nivele dhe do të bëjmë një rritje të pagave për t’i përafruar mundësitë e shpërblimit të punonjësve në bashkitë e nivelit të dytë me ato të nivelit të parë, në mënyrë që ajo që sot po e përjetojnë një pjesë jo e vogël e bashkive, kryesisht ato që janë më të vogla, që nuk arrijnë dot të punësojnë specialistë në fusha të caktuara për shkak të pagës së ulët dhe të pozicionit të tyre gjeografik, të adresohet dhe kjo barrë të lehtësohet në mënyrë të arsyeshme.
Kemi sfidën e një mbledhjeje më uniforme të taksës së pronës. Në një numër të caktuar bashkish kjo ndodh me një rezultat progresivisht më pozitiv, në një numër të caktuar bashkish kjo thuajse nuk ndodh fare.
Po ashtu, të një performance shumë më të mirë në mbledhjen e tarifës së pastrimit. Ka bashki me rezultate shumë të mira, ka bashki me rezultate që lënë shumë për të dëshiruar.
Kemi diskutuar për domosdoshmërinë e një qasjeje të re të bashkive ndaj një pasurie të madhe që janë pyjet, në sensin që pasi kemi garantuar një nivel të arsyeshëm mbrojtjeje të pyjeve nga shkatërrimi dhe nga keqpërdorimi i kësaj pasurie, na duhet tani që këtë pasuri ta vëmë më shumë në dispozicion të rritjes ekonomike të vendit, duke filluar nga rritja ekonomike e bashkive. Për këtë kemi një plan që e kemi ndarë me kryetarët e bashkive për t’i mbështetur që të gjitha bashkitë që kanë pasuri pyjore të kenë në plane të mirëfillta mbarështimin e pyjeve. Sot janë 67% e bashkive që nuk kanë plane të tilla dhe kjo është një shifër alarmante.
Kemi diskutuar për çfarë sjell për bashkitë hyrja e Shqipërisë në këtë fazë të re të jetës së vet që janë bisedimet për anëtarësim dhe njëkohësisht instrumenti i ri i Bashkimit Europian, që është plani i rritjes, Plani i Ri i Rritjes që praktikisht e angazhon Shqipërinë me një sërë programesh europiane ku bashkitë kanë mundësi të reja për të aksesuar fonde në Bashkimin Europian. Për këtë kemi diskutuar dhe për strukturën përkatëse në mbështetje të tyre për të shkruar dhe për të aplikuar me projekte që do të mund të sjellin të ardhura shtesë për bashkitë.
Kemi diskutuar për lehtësimin e domosdoshëm të procedurave të lejeve të ndërtimit në fshat, në mënyrë që njerëzit që ndërtojnë shtëpitë e tyre apo riparojnë shtëpitë e tyre të mos kenë të njëjta procedura si banorët e qytetit apo të zonave që kanë rëndësi, nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore apo nga pikëpamja e mbrojtjes së natyrës, që janë zona me kritere shumë të rrepta dhe patjetër edhe për një qasje të koordinuar me bashkitë për procesin e legalizimeve të mbetura.
Kemi një numër jo të vogël legalizimesh të mbetura që, për arsye jo dhe aq të pakuptueshme, janë si të thuash, në bllokun e fundit të këtij procesi, por duke angazhuar edhe bashkitë në këtë proces, besoj se do t’i japim një shtysë më të madhe procesit, pasi shikojmë që në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, përmirësimet e ndjeshme që bëhen në mënyrë të vazhdueshme me sistemin e shërbimit për hipotekën, nuk ecin paralelisht me përmirësimin që duhet të bëjmë në adresimin e legalizimeve sepse janë dy procese krejt të ndryshme, por edhe sepse mbase na duhet edhe ndihma e bashkive.
Këto janë pak a shumë temat kryesore.
Kemi folur për një program të madh të digjitalizimit të shërbimeve ne bashki ku do të financojmë rreth 50 milionë euro në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe jemi fokusuar në mënyrë të posaçme tek sezoni turistik, shifrat e dy muajve të parë janë përtej çdo parashikimi përsëri dhe nëse trendi do të vazhdojë kështu, edhe sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë kështu, atëherë numri i 10 milionë turistëve të vitit të shkuar do të rritet në mënyrë shumë të ndjeshme, çka për bashkitë dhe për vendin tonë do të thotë një rritje shumë e ndjeshme e volumit të mbetjeve që duhen pastruar dhe që duhen trajtuar për të marrë vetëm njërin nga aspektet por që është një nga aspektet që lidhet drejtpërdrejt me punën e bashkive dhe nga ana tjetër kemi diskutuar edhe për kalendarin e ri kulturor dhe artistik të këtij sezoni që do të jetë më i pasur dhe kemi dëgjuar në të njëjtën kohë gjatë gjithë ditës edhe në tryeza të veçanta, të gjitha opinionet dhe sugjerimet e kryetarëve të bashkive për çështje si këto që thashë apo edhe për çështje më specifike për zona të caktuara apo për bashki të caktuara.
Një tjetër pikë e rëndësishme ka qenë ringjallja e aseteve të vjetra; shkolla të vjetra, godina të braktisura, qendrash të kahershme shëndetësore, repartesh ushtarake të mbetura nëpër zona të caktuara që s’kanë më asnjë përdorim për t’i futur në ekonomi, për t’i futur në punë përmes projekteve të pushtetit vendor.
Nuk po zgjatem më tutje, po ua lë juve fjalën për të bërë pyetjet, por në tërësi ka qënë një mbledhje për detyrat e përbashkëta të shtëpisë, nëse mund ta quaj kështu edhe ka pasur shumë ndërveprim edhe shumë rezultat sipas nesh.