Kryeministri i vendit, Edi Rama ndodhet në një vizitë zyrtare në Turqi ku është pritur Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan. Takimi i zhvilluar në Kompleksin Presidencial në Ankara u mbajt mbyllur për mediat.
Kjo është vizita e parë e Ramës në Turqi që pas mbylljes së kolegjit turk Mehmet Akif në vendin tonë.
Përfaqësues të këtij institucioni kanë pretenduar se vendimi i qeverisë ka ardhur me kërkesë të presidentit turk Erdogan, duke qenë se kolegji në fjalë është pjesë e investimeve të lëvizjes gylene.
Kryeministri Rama e ka mohuar këtë pretendim duke theksuar se nuk merr urdhra as nga Amerika, as nga Trurqia e as nga ndonjë vend tjetër. Gjithsesi vetë mediat turke e kanë trumbetuar këtë vendim të qeverisë Rama si një plotësim të një kërkese disavjeçare nga Erdogan.
“Takvim”, një gazetë pranë qeverisë në Turqi shkruan se gjithçka ndodhi “pas përpjekjeve të gjata diplomatike dhe vizitës së fundit të Presidentit të Turqisë në Ballkan”.
Sipas “Takvim”, qeveria shqiptare vendosi mbylljen e këtyre shkollave dhe përzënien e mësuesve prej tyre pas aktivitetit të shtuar të diplomacisë turke.
Një tjetër takim mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit Erdogan u zhvillua dy muaj më parë po me ftesë të Erdogan, në kuadër të ceremonisë për Lojërat e Solidaritetit Islam dhe për takim pune, sikundër njoftonte në atë kohë vetë Kryeministri Rama.
Edhe në atë kohë, takimi u mbajt në Kompleksin Presidencial në Ankara dhe u zhvillua me dyer të mbyllura për median.
Ky takim u quajt edhe si një thyerje akulli mes dy liderve, pasi nga vizita e fundit e Erdogan në Shqipëri, ishin krijuar disa “hatermbetje” pikërisht për shkak të Gulen.
Kujtojmë se se fundi Kryeminstri Rama tha se Shqipëria do të marrë 6 dron nga Turqia, të cilët do të përdoren për shërbime civile.
/Argumentum.al