Kryeministri Edi Rama lajmëroi planet e qeverisë për lehtësimin e masave shtrënguese të ndërmarra për të kufizuar përhapjen e coronavirusit.
Ndërsa i dha masave të forta meritë për numrin e ulët të të infektuarve, kryeministri vlerësoi gjithashtu rezistencën e qytetarëve.
Kryeministri dha disa drita të gjelbra për qytetarët të cilët aktualisht lëvizin me fashën morare 05-13:00 për të bërë blerjet e nevojshme apo për të kryer pagesa në banka.
“Do të zgjerojmë duke nisur nga e hëna fashën orare të shërbimeve ushqimore, farmaceutike dhe bankare, deri në orën 17.30. Do të zgjerojmë brenda javës së ardhshme (nëse kurba e infeksionit do të qëndrojë në trendin aktual) mundësinë e lëvizjes me automjet privat të atyre që punojnë në hapësirën e lejuar të aktivitetit ekonomik,” deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë tha se Shqipërisë i shtrohen para 40 ditë të vështira, ku hapja e veprimtarive kërkon kujdes të shtuar.
“Në kushtet kur mund të shohim me optimizëm të arsyeshëm fundin e muajit maj si një dalje nga kjo fazë e parë përballjeje të gjithanshme me armikun e padukshëm, ku një pjesë e madhe e aktivitetin ekonomik mund të rikthehet në një normalitet të ri dhe shumë kush mund të rikthehet në punë, me rregulla të mirëpërcaktuar natyrisht,” tha kryeministri.
“Do të miratojmë javën që vjen në parlament risitë e Kodit Penal / Rrugor për periudhën e gjendjes së jashtëzakonshme të epidemisë”.
Kryeministri tha se në fillim të javës së ardhshme do të bëhet publike paketa e zgjeruar të mbështetjes financiare, për të lehtësuar drejtëpërdrejtë:
1) bizneset e vogla që edhe pse nuk u mbyllën gjatë kësaj periudhe, u goditën ndjeshëm në xhiron e tyre si pasojë e luftës, si për shembull agjenci turistike, rrobaqepēsi e mobileri të vogla, hidraulikë, elektriçistë, fizioterapi, kancelari, servise makinash e lavazhe të liçencuar, etj., përfshirë edhe shoferët e taksive e të linjave të transportit urban e punonjësit e tyre…
2) punonjësit e bizneseve të mëdha, që bazuar në listë-pagesat e fundit të ditës së djeshme, figurojnë të goditur nga lufta në vendin e tyre të punës, të cilëve do t’u sigurojmë mjetet e nevojshme financiare të rezistencës për dyzetë ditët vendimtare në vijim – duke mbajtur parasysh se një pjesë e madhe e tyre mund të rikthehen në punë deri në fund të majit dhe se paketa mund të rizgjerohet, sipas dinamikës e nevojave të luftës në 10 ditëshin e fundit të muajit maj
3) sektorët e turizmit e të industrisë fason dhe njësitë prodhuese në tërësi