Kryeministri Edi Rama paraqiti sot 7 masat e “Paketës së Rezistencës Sociale” për përballimin e situatës së rritjes së çmimeve nga lufta në Ukrainë dhe kriza globale energjetike.
Masa e parë ka të bëjë me indeksimin e pensioneve.
“3.6 miliardë lekë ose 36 milionë USD, për indeksimin e menjëhershëm të pensioneve. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës së 673.542 pensionistëve”, tha Rama.
Pikat e dytë shkon për 434 mijë përfitues, të cilët do të kompensohen me lekë në dorë për rritjen e çmimeve të shportës, e cila bazuar në përllogaritjen e INSTAT-it është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të llogaritur përpara goditjes, është 25 mijë lekë të vjetra.
“Qeveria do të japë 30 mijë lekë të vjetra, për 3 muaj rresht, për këto kategori: pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistë të invaliditetit, pensionistë që jetojnë vetëm, persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër, të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike”, u shpreh Rama.
Pika e tretë ka të bëjë me mbështetjen për fermerët.
“Mbështetja për fermerët me naftë pa taksa do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD e cila do të derdhet menjëherë”, tha Rama.
“Qeveria do të mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linjat urbane, qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë, për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit”, vijoi Kryeministri Rama.
“Afrojmë dy muaj përpara futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës mbi pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra, përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, si edhe uljen e taksës mbi pagat nga 1.5 deri në 2 milionë të reja. Këto masa lehtësuese do të reflektohen në pagat e prillit dhe prej tyre do të përfitojnë 360 mijë të punësuar”, u shpreh ai.
“Numri i të punësuarve në Shqipëri që paguajnë zero taksë mbi pagën, arrin një shifër që s’e ka askush në rajon, 56%!”, tha Kryeministri Rama.
Kryeministri paraqiti dhe dy pikat e fundit.
“Afrojmë dy muaj përpara edhe futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do të bëhet 320 mijë lekë të vjetra. Shtojmë me 20 miliardë lekë të reja ose 200 milionë USD, financimin e mburojës së çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël”, theksoi Kryeministri Rama.