Editorial
Konferenca e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024” e cila nisi punimet sot( 26.08) në Tiranë ka shpërfaqur strategjinë dhe prioritetet e politikës së Jashtme të Shqipërisë. Një rol me rëndësi kanë përfaqësitë diplomatike shqiptare nëpër botë, ndaj dhe kryeministri Rama ua bëri të qartë direktivat dhe pikat kyçe se ku duhet të fokusohen.
Qeveria Rama duket se po promovon një diplomaci më aktive ekonomike dhe politike të angazhuar në nivel ndërkombëtar, që përfshin jo vetëm zhvillimin e marrëdhënieve me shtete të tjera, por gjithashtu forcimin e marrëdhënieve me organizatat ndërkombëtare dhe rajonale si Bashkimi Europian, për të kërkuar mbështetje dhe për të ndihmuar në promovimin e interesave të Shqipërisë.
Kryeministri Rama nënvizoi një strategji të përzierë që përfshin forcimin e marrëdhënieve me partnerët tradicionalë dhe të rëndësishëm, si Turqia, Greqia dhe Italia, dhe gjithashtu eksplorimin e mundësive të reja nga Azia deri në Afrikë.
Italia, Turqia dhe Greqia janë partnerët strategjikë të Shqipërisë, sipas kryeministrit Edi Rama, ndonëse me Greqinë vitin e fundit Shqipëria ka patur “fërkime” serioze lidhur me “çështjen Beleri”, por duket se kjo çështje i përket vetëm Greqisë, pasi Kryeministri Rama nuk luhatet duke e quajtur Greqinë aleat strategjik të Shqipërisë. Le të theksojmë faktin se ende Greqia ka të dekretuar ligjin e luftës me Shqipërinë.
Nga ana tjetër është Turqia. Ndonëse në vizitat e fundit zyrtare Tiranë-Ankara, marrëdhëniet dypalëshe u ngritën në Partneritet Strategjik, ende ka një pakënaqësi nga pala turke, sa i përket atyre që Turqia i quan “organizata terroriste e FETO-s”.
Ndërsa Italia, është një tjetër fqinj i yni, shtet mik dhe aleat strategjik. Me të drejtë Kryeministri Rama e nënvizoi Italinë, si aleat strategjik nisur dhe nga marrëveshja e fundit Rama-Meloni, marrëveshja për emigrantët të nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar, ku Tirana ra dakord që t’i pranojë azilkërkuesit e kapur nga autoritetet italiane në Detin Mesdhe dhe t’i strehojë ata derisa kërkesat e tyre të përpunohen.
“Nuk është gjithmonë e lehtë, ne jemi miq tradicionalë të Turqisë dhe Greqisë dhe për ne janë të dyja të rëndësishme, por në të njëjtën kohë për ne është e shkruar që në programin tonë qeverisë se qoftë Greqia, qoftë Turqia bashkë me Italinë janë partnerët tanë strategjikë. Por ne duhet të rritemi e fuqizohemi si shtet dhe si komb, ndaj duhet të ruhemi nga humbja e sensit të përmasës sonë që në të shkuarën është shoqëruar me daullet e nacionalizmit folklorik dhe i ka kushtuar shoqërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, por të ruhemi nga kompleksi i inferioritetit se nuk kemi asnjë arsye as për të parën as për të dytën, të dyja na kanë dëmtuar”, tha Rama
Përveç shteteve fqinjë, disa aleatë të vjetër të Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama renditi më tej dhe ato shtete me të cilat synohet të lidhen ura bashkëpunimi. Ky diversifikim duket si përpjekje për të krijuar mundësi të reja për investime dhe tregti dhe për të forcuar pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Strategjia e re përfshin ndërtimin e marrëdhënieve më të forta me një gamë të gjerë shtetesh, përfshirë vende të ndryshme nga fqinjet dhe aleatët tanë të njohur deri dhe nga rajone të tjera si Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Azerbajxhani, Katari, Kuvajti, Indonezia, Filipinet, dhe Kenia.
“Leximi i të ardhmes me sytë e së shkuarës, nuk na takon. Ne lexojmë të shkuarën me sytë e të ardhmes, kjo është pika kyçe mbi të cilën ngremë ndërveprimet me rajonin. Duhet të bëjmë më shumë me Italinë, Turqinë, Greqinë. Nga ana tjetër, në aspektin e volumit të tregtisë, ne mund të bëjmë shumë më tepër. Hapësira e BE-së është hapësira më natyrale për marrëdhëniet tona tregtare, por mos të harrojmë që kemi miq dhe miqësira të mira që i kemi forcuar ndjeshëm dhe duhet të kërkojmë më shumë, në radhë të parë nga vetja me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara, Azerbajxhani, që janë tre vende që ushqejnë ndjenja miqësore. Edhe me Kuvajtin, që është një mik nga më të vjetrat dhe me Katarin”, theksoi Rama në fjalën e tij.
Kryeministri u ndal dhe të bashkëpunimi me Filipinet dhe Indonezinë, nga të cilat Bashkimi Evropian po merr fuqinë punëtore. Kështu, edhe qeveria shqiptare synon të marrë punëtorë nga këto dy shtete. Dyert, tha Rama, do të hapen edhe për shtetet afrikane dhe një ndër qëllimet është që ato të njohin Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran.
“Nga ana tjetër, kemi arsye të vazhdojmë me hapjen e dyerve të misioneve të reja, në Indonezi, me të cilën kemi vendosur një marrëdhënie që ka një potencial të madh, ashtu sikurse edhe Filipinet. Nëse arrijmë të kultivojmë si duhet raportet, besoj se do të bëjmë kapërcimin e radhës. Edhe në Afrikë jemi të munguar dhe besoj është e drejtë të hapim derën e parë në Kenia, na duhet për shumë arsye, me e thjeshta është për të mbështetur njohjen e Kosovës”.
Sipas deklaratës së Kryeministrit Rama para ambasadorëve dhe konsujve të Shqipërisë nëpër botë, një nga synimet kryesore është Diplomacia Ekonomike. Tashmë është e qartë se gjeopolitika globale dhe rajonale ka filluar të përcaktojë aleanca të reja, si në fushën ekonomike ashtu edhe në atë politike. Sa i përket sigurisë, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe partner strategjik i SHBA-së.
Strategjia e re e politikës së jashtme të Shqipërisë nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama në këtë periudhë është vendimtare për orientimin strategjik të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, dhe ndihmon në realizimin e objektivave të saj kryesore, përfshirë integrimin në BE, forcimin e marrëdhënieve rajonale dhe promovimin e interesave të saj ekonomike dhe kulturore.
© 2024 Argumentum