Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga stadiumi “Air Albania” se brenda 14 muajve do të jetë kryer i gjithë procesi i vaksinimit anti-COVID në vend.
Po ashtu pritet një marrëveshje për 360 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19 me kompaninë AstraZeneca.
“Presim një konfirmim të rëndësishëm për të formalizuar 360 000 doza me Astrazenecën. Mbrëmë kemi pasur një kontakt me një shtet mik dhe përsëri edhe aty kemi shumë shpresë realiste se do kemi dhe një sasi tjetër. Mbetemi të bindur se skenari A, vaksinimi i gjithë popullatës, që do të thotë se brenda 14 muajsh të kemi kryer të gjithë procesin e vaksinimit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë deklaroi se për 1 mijë persona vaksinimi mbyllet këtë javë, teksa nesër do të nisë procesi dhe në Vlorë.
“Sot janë prezent dhe mjekë nga Mati dhe Bulqiza, nesër do jemi në Vlorë do vazhdojmë me zonën poshtë. Do vazhdojmë me një numër tjetër të moshuarish që janë personalitete që duhet t’i mbajmë sa më mirë dhe jo thjesht të kujtohemi kur vdesin e të mbajmë fjalime”, tha kreu i qeverisë.
Një ditë më parë Rama ishte prezent edhe në Shkodër, aty ku nisi edhe procesi i vaksinimit për të moshuarit.
Sakaq, dy ditë më parë mbërritën në vendin tonë 7020 doza të vaksinës Pfizer, ndërsa kryeministri Edi Rama bëri me dje se brenda marsit përmbyllet mbërritja e të gjitha dozave të kontraktuara me kompaninë amerikane.