Kryeministri Edi Rama njoftoi sot nisjen e procesit të këshillimit kombëtar, përmes të cilit qytetarët do të shprehin mendimin e tyre lidhur me çështje që kanë të bëjnë me ekonominë, punën, familjen, drejtësinë, luftën kundër kriminalitetit, apo procesin e integrimit evropian të vendit.
Në një bashkëbisedim me ndjekësit e tij në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Rama theksoi se ky formular do të shpërndahet për të gjitha familjet dhe se do të ngrihen pika në të gjitha bashkitë ku qytetarët mund të shkojnë dhe të plotësojnë formularin.
“Këtë vit duam të vendosim një nivel të ri komunikimi, ta dëgjojmë njëri-tjetrin më shumë, në radhë të parë ne, të dëgjojmë opinionet e njerëzve pa dallim, dhe për këtë ka nisur procesi dhe pak nga pak qytetarët do të marrin në shtëpitë e tyre letrën e këshillimit kombëtar që organizon qeveria për të marrë opinionin tuaj lidhur me një sërë temash që kanë të bëjnë me ekonominë, punën, familjen, drejtësinë, luftën kundër kriminalitetit dhe me BE-në, ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së“, tha Kryeministri.
Sipas Kryeministrit Rama, formulari do të jetë anonim, në kuptimin që çdo familje do të marrë një formular, ku një anëtar i familjes mbi 18 vjeç mund ta plotësojë dhe ta kthejë sërish mbrapsht.
“Kjo do të na shërbejë për të mbledhur një opinion tërësor lidhur me këto tema. Nuk është një proces zgjedhor, apo ku kemi ndonjë qëllim të diskutueshëm dhe as me autenticitetin individual, mjafton të vijë nga çdo familje shqiptare”, tha Rama.
Rama u shpreh se ky është një proces dëgjimi dhe i mbledhjes së opinioneve, që shkon përtej shumicës politike apo parlamentare, ashtu si dhe fuqisë së kartonit.
“Qëllimi është që duam që këto përgjigje, me këto pika, të jenë sa më shumë shprehje e një mendimi të rrahur me njerëzit në formën e një përfshirjeje referendare, por pa asnjë obligim”, theksoi ai.