Kryeministri Edi Rama foli për tre shtylla kryesore që për investimin e tyre do të thithen fonde nga Bashkimi Europian. Në një konferencë për mediat, kreu i qeverisë tha se tre shtyllat kryesore janë infrastruktura, energjia dhe dixhitalizimi.
“Për të materializuar një transformim të integruar për të cilin do të na ndihmojë plani i ri i investimeve të KE, që ka tre shtylla, infrastrukturën me rrjetet e transportit hekurudhor dhe patjetër të rrugëve automobilistike.
Energjia, ku Shqipëria ka një pozicion kyç dhe ka një avantazh të rëndësishëm në raport me vendet e tjera të rajonit. Shqipëria ka një plan të qartë për shtrirjen e infrastrukturës së gazit qoftë në veri që shkon në Mal të Zi Kroaci dhe më pas në rrjetet europiane të gazit, qoftë me degëzimet e tjera, duke filluar nga degëzimi i Kosovës.
Dixhitalizimi, ku bëhet fjalë për një ndërhyrje masive për të fuqizuar ndërlidhjen dixhitale në rajon. Të tre këtoi shtylla kanë në thelb kompetentin e imapktit rajonal, por janë shtylla që do të ngrihen individualisht në cdo vend”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se po përgatitin një thirrje publike për ekspertët shqiptarë që janë jashtë vendit.
“Jemi duke përgatitur një thirrje publike për ekspertet shqiptarë jashtë vendit që do të duan të bëhen pjesë e kësaj përpjekje dhe të integrohen në skuadrën e ekselencës që do ngrëmë dhe të fillojmë të thithim fondet nga buxheti evroipian dhe për të mundur të shohim zbatimin në periudhën 2021-2023 si procese që përfshijnë këtë mandat dhe këtë plan buxhetor të komisionit të ri evropian”, tha Rama.
Rama tha se po punohet me orë të zgjatura për përfundimin e Aeroportit të Kukësit, dhe se për pak muaj do të jetë i mbaruar.
Kreu i qeverisë tha se do të punohet dhe për aeroportin e Vlorës dhe Sarandës, e se me këto 4 aeroporte, Shqipëria do të futet në një epokë të re.
“Krahas kantiereve të infrastrukturës rrugore, ne kemi në proces disa kantiere të mëdha të transformimit të infrastrukturës portuale dhe aeroportuale. Askush s’e ka parë kantierin e Kukësit, ku po bëhet një punë e madhe me orë të zgjatura për aeroportin e Kukësit. Faza përmbyllëse e punimeve do të kërkojë edhe disa muaj. Do të rihapet gara për projektin aty ku është ndërprerë për shkak të mbylljes së përgjithshme.
Strategjia jonë është që gjërat të bëhen hap pas hapi e jot ë gjitha për njëherë. Nëse Vlora do jetë një sukses, edhe aeroporti i Sarandës do të jetë një sukses. Me këto 4 aeroporte, ne hyjmë në një epokë të re, si kanal i rëndësishëm ekonomik,” tha Rama.
Më tej kreu i qeverisë deklaroi se mendoj se në pranverë të këtij viti aeroporti i Kukësit do të jetë operacional.
“Nuk e harroj misionin tim për të sjellë 120 vota me avion nga Londra. Kush dëshiron të përfitojë udhëtime falas të nisë me mbledhjen dhe akumulimin e pikëve. Nuk i harroj ata që e kanë përqeshur dhe e kanë tallur projektin e aeroportit të Kukësit. Ky është një objektiv, shpresoj ta realizojmë”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi po ashtu se së shpejti në Sarandë do të fillojë puna për ndërtimin e portit turistik.
“Dhe e fundit në pak javë do të mund të japim të gjitha autorizimet për fillimin e portit të tretë që do të jetë i pari që do të fillojë turistik në Sarandë. Kemi marrë një propozim që është fantastik dhe ndryshon gjithë paradigmën e zhvillimit të Sarandës”.
Ndryshime do të ketë edhe për portet. Së shpejti pritet të spostohet porti i Durrësit.
“Së shpejti do të fillojmë me transformimin e madh të Durrësit, ku plani im është që të spostojmë portin ekzistues, i cili e ka mbaruar prej kohësh misionin e tij si një port komercial mallrash në mes të qytetit, i cili është një infrastrukturë e dalë kohe prej kohësh me standarde mjedisore shumë të ulëta për të mos thënë zero dhe faktikisht pengon në mënyrë gjithmonë e më shqetësuese hedhjen e një hapi për një epokë tjetër të Durrësit turistik”, tha Rama. Ai u shpreh se porti i Durrësit do të hidhet në garë ndërkombëtare dhe do të zhvillohet aty ku është plani i zonës së lirë ekonomike.
E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Vlorën.
“Porti ekzistues është infrastrukturë arkeologjike në aspektin e standardeve, shërbimeve, impaktit negativ që ka në zonën e bregdetit që prek drejtpërdrejt qytetin. Vizioni i zhvillimit të mëtejshëm të vijës bregdetare me Lungomaren me fazën e tretë përfshin edhe një port turistik që do të jetë aty për të krijuar një kanal të ri kontakti me Vlorën sikundër me Durrësi. Ndërkohë edhe për Vlorën jemi gati për një proces ku do mund të sistemojmë me standarde bashkëkohore portin e shërbimeve”, tha Rama.
© Argumentum.