“Me këtë rol në tryezën drejtuese të OKB, Shqipëria merr një përgjegjësi të madhe, me dinjitet të lartë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ngjit një shkallë të re në partneritetin gjithnjë e më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama tha se ky zhvillim është tejet pozitiv për pozicionimin, për reputacionin, dinjitetin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Është pa diskutim një përgjegjësi e re dhe shumë e madhe, por edhe një konfirmim i padiskutueshëm i një Shqipërie krejt tjetër në arenën ndërkombëtare, i një Shqipërie që vlerësohet për karakterin, për qëndrueshmërinë, vlerësohet dhe për aftësinë në luajtjen e rolit që i takon si një vend që promovon paqen, sigurinë, si një vend që nga një anë është anëtar i NATO-s nga ana tjetër është një vend me një pozicion gjithnjë e më të spikatur e të vlerësuar në rajonin tonë”, nënvizoi Rama.
Pa diskutim, vijoi Rama, anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023 si anëtar jo i përhershëm dhe dimensioni që ky fakt i jep marrëdhënieve me SHBA pasurohet me këtë fakt të ri.
Kreu i qeverisë u shpreh se “krijimi i këtij çifti SHBA dhe Shqipëri në Këshillin e Sigurimit për të qenë bashkëpenëmbajtëse të çështjes së Ukrainës është ndërmarrë për të garantuar një angazhim aktiv dhe të vazhdueshëm me nisma konkrete që të dyja vendet tani më partnere të ngushta në këtë proces do të ndërmarrin, gjë që konfirmon qartësisht një pozicion pa ekuivok të vendit tonë”.
Nga ana tjetër, tha Rama, duke qenë aktiv në një çështje kaq akute si kjo e Ukrainës, por edhe të gatshëm për punë konkrete në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare ne përkufizojmë edhe më qartë në sytë e të gjithëve atë që dëshirojmë të jetë roli ynë, një forcë që kontribuon për të mirën.
“Jemi shumë të emocionuar nga ky zhvillim sepse është kurorëzim i një përpjekjeje dhe jo fundi por kurorëzim në vazhdën e mundimit për të bërë që Shqipëria të qëndrojë në një nivel krejt tjetër në marrëdhëniet ndërkombëtare në raport me çka qenë në të shkuarën dhe për të bërë që Shqipëria të forcojë në çdo hap e më shumë bindjen tek vlerat që ajo mishëron dhe besimin tek vetvetja për të qenë një partner real, luajal, një partner shumë i qëndrueshëm në atë front vendesh ku ne kemi zgjedhur të jemi si popull si komb, si shtet”, nënvizoi Rama.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha sot se SHBA është treguar e gatshme për të ndarë me vendin tonë përgjegjësinë e bashkautorësisë për çështje të paqes dhe sigurisë, veçanërisht në lidhje me Ukrainën. Para gazetarëve, Xhaçka u shpreh se Bashkëhartuesit janë të parët që flasin për çështjen në fjalë në takimet e Këshillit të Sigurimit dhe se projekti i parë do hartohet nga Shqipëria dhe SHBA dhe më pas do ndahet me të tjerë.
“Ne kemi një bashkëpunim të ngushtë me SHBA. Gjatë këtij bashkëpunimi që do materializohet përmes takimeve që do kemi në Uashington me Blinken, kemi krijuar një sinergji të veçantë lidhur me angazhimin e vendeve tona, edhe sa i takon çështjes së paqes dhe sigurisë, veçanërisht me situatën e konfliktit të Ukrainës. SHBA kanë qenë të gatshme të ndajnë me Shqipërinë përgjegjësinë e bashkautorësisë apo bashkëpenëmbajtësit për çështje që kanë lidhje me sigurinë dhe paqen dhe veçanërisht me Ukrainën. Është vlerësim dhe privilegj i jashtëzakonshëm për të bashkëndarë me SHBA përgjegjësinë për të qenë bashkëhartues në çështjen e Ukrainës, nj kontribut që jemi të gatshëm për ta marrë përsipër. Jemi të vetëdijshëm për përmasat tona, por kjo është çështje serioziteti, përgatitje dhe aftësie për të marrë përsipër përgjegjësi. Vendi ynë merr një rol të dorës së parë në çështje të sigurisë përmes bashkëhartimit me SHBA për çështjen e Ukrainës. Vendet tona do bashkëpunojnë ngushtë, do ndajnë informacion në mënyrë prioritare dhe do jenë në origjinë të çdo nisje me këtë nismë. Projekti i parë do hartohet nga dy vendet tona dhe më pas do ndahet me të tjerë. Bashkëhartuesit janë të parët që flasin për çështjen në fjalë në takimet e Këshillit të Sigurimit. Është një shprehje e thellimit të partneritetit strategjik të dy vendeve”, tha Xhaçka.