Kryeministri Edi Rama theksoi sot se shqiptarët e Italisë nuk i ndërruan emrat, siç u ndodhi tragjikisht qindra mijëra shqiptarëve në Greqi/
Në takimin me shqiptarët e Italisë në Milano, Rama u shpreh se qindra mijëra shqiptarë të Italisë u përshtaten me një shpejtësi mbresëlënëse duke arritur suksese të rralla në botën e emigracionit shqiptar qysh në brezin e parë të të ardhurve.
“Ju shqiptarët e Italisë nuk i ndërruat emrat, por sërish dhe gjerësisht siç u ndodhi tragjikisht qindra mijëra vëllezërve dhe motrave tona në Greqi për një arsye të vetme dhe të lemeritshme që e dimë shumë mirë të gjithë dhe që do të mbetet një njollë turpi në historinë e Europës demokratike”, tha kryeministri.
“Por ama nuk ishin të pakta rastet kur ju e morët përsipër vullnetarisht këtë ndryshim të identitetit që ajo zilja përndjekëse “e stato un albanese” të mos i hapte ndonjë dreq pune një Haxhiu që e pagëzoi veten “xhixhi”. Apo një drite që u rilind si Lucia, por mbase formula e ekuacionit të njohjes së jashtëzakonshme teorike të Italisë pa e shkelur fare akoma, bashkuar me domosdoshmërinë praktike të fshehjes së gjurmëve të të qenit shqiptar gjatë atij impakti të “ububu”-shëm të albanezëve me pasqyrat mediatike, shpjegon fuqinë vetë transformuese që i bëri qindra mijëra shqiptarë të Italisë të përshtaten me një shpejtësi mbresëlënëse duke arritur suksese të rralla në botën e emigracionit shqiptar qysh në brezin e parë të të ardhurve”, u shpreh Rama.