Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, me sistemin e ri të bursave do të financohen me pagë minimale mujore 200-400 studentë ekselentë.
Në fjalën e tij në në ceremoninë e zhvilluar në Kryeministri për dhënien e “Medaljes së Artë” për nxënësit që kanë përfunduar gjimnazin me 10 absolute, Rama tha se, “së pari, ne kemi vendosur që ta ndryshojmë komplet sistemin e mbështetjes së ekselentëve dhe këtu nuk flasim për atë pjesën që ne i quajmë ekselentë nga 9-a tek 10-a. I kemi quajtur ekselentë për lehtësi komunikimi. Por nëse ata me 9-a janë ekselentë, ju i bie të jeni UFO. Kështu që këtu flas për UFO-t. Ju e dini që ka pasur një program prej vitesh që qeveria shqiptare, programi i vjetër i hershëm, i bërë me qëllim të mirë në fakt, nuk diskutohet, e kemi vazhduar dhe ne po me atë qëllim të mirë, të jepte fonde për të financuar studimet e studentëve shqiptarë në një listë universitetesh më të mira të botës dhe kemi financuar 20 studentë mesatarisht çdo vit”.
“Mirëpo, as edhe njëri nuk ka pasur mirësinë që në njëfarë mënyre t’i kthejë këtij vendi investimin. Unë e kuptoj shumë mirë, nuk diskutohet, që të studiosh në ato universitete që janë nga më të mirat e botës do të thotë që hysh me garancinë që kur del po arrite të dalësh deri në fund, sepse janë shumë selektive, direkt do të të vijnë të të kërkojnë kompani dhe studio prestigjioze avokatie dhe sisteme të tjera duke të të ofruar punë. Se kështu është kur je në majë. Por të firmosësh një marrëveshje me shtetin tënd për t’i marrë para nga taksat një numri të madh prindërish dhe të thuash unë do shkoj të studioj dhe pastaj do kthehem këtu dhe jo vetëm të mos kthehesh, por as mos kujtohesh të bësh një letër dhe të vihesh në dispozicion në një mënyrë ose një tjetër, duke thënë e kam të pamundur të kthehem, sepse më erdhi Steve Jobs më mori në punë, por jam në dispozicion. Kjo është shumë, shumë e tepërt, dhe boll”, tha Rama.
“Kështu që ne nuk do financojmë më studime jashtë, po do financojmë UFO-t këtu. Pra ata si ju, apo të tjerë, kuptohet me të gjitha ato kritere dhe do të bëjmë një financim të konsiderueshëm duke praktikisht, jo dhënë një bursë, por dhënë një pagë. Një pagë minimale natyrisht, por një pagë për çdo student që është i këtij niveli. Dhe sigurisht që tek Mjekësia, tek ato që janë degët prioritare do të fokusohemi. Dhe nga 20 në vit, me këtë sistem që kemi zgjedhur ne do të financojmë midis 200 dhe 400. Në varësi, se nuk do t’i parashikojmë ne, në varësi nga numri që kemi. Por ama askush që hyn në këtë sistem nuk do e marrë diplomën përpara 3 vjetësh. Që do të thotë, je mjek, do të financojmë, do punosh 3 vjet mjek, patjetër, këtu, pastaj do marrësh diplomën me të gjitha nderimet e nevojshme dhe je i lirë të rrish këtu, apo të shkosh jashtë, pa problem”, tha Rama.
“Dhe jo vetëm ka, por ne po punojmë që sistemi të funksionojë kështu për lëndët prioritare dhe për të tjerat, sepse nuk mundet të vazhdojmë dot kështu. Aq më tepër që është e padiskutueshme që 3 vjet eksperiencë në vendin tënd edhe në kushtet e vështira të vendit tënd, nëse të qëllon të punosh në kushte të vështira, se ka gjithmonë më shumë kushte të mira në një pjesë gjithmonë e më të madhe të sistemeve, e bëjnë më të fortë kandidaturën tënde nëse shkon jashtë, në vend se të ikësh direkt sa ke mbaruar shkollën për të kërkuar atje të punosh në profesion”, u shpreh Rama.
/Argumentum.al