Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot detaje nga plani i qeverisë për rritje të pagave në vend.
Në një deklaratë për mediet pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Rama deklaroi se plani ambicioz për rritje pagash, synon që të mundësojë në harkun e këtyre dy viteve, 2023-2024, ngritjen e Shqipërisë në nivelin e lartë të rajonit.
Rama tha se “ky plan synon të realizojë një target të një page mesatare prej 900 eurosh. Jemi në kushtet e një mundësie të re që do ta shfrytëzojmë maksimalisht në të mirë të njerëzve dhe familjeve”.
Ai tha se pas rritjes së pagës minimale, tani mund të shkojmë drejt rritjes edhe të pagës mesatare në dy faza.
“Do kemi një rritje tani së shpejti për një pjesë dhe të shkallëzuar, detajet të cilat do t’i diskutojmë më konkretisht pas aktit të miratimit që do të vijë në 10-15 ditët e ardhshme. Do të publikojmë edhe planin e plotë, që të gjithë ta dinë se çfarë do të pasojë. Kemi thënë për rritjen e pagës së mjekëve dhe infermierëve me 7 % këtë vit, dhe pasi të bëjmë rritjen e kësaj pjese me 7 % do të shkojmë në rritjen tjetër që do të jetë rritje e konsiderueshme me vitin e ardhshëm. Ndërkohë për të tjera kategori do të kemi rritje të menjëhershme të këtij viti”, theksoi Kryeministri Rama.
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se rritja e pagave nuk ka lidhje me zgjedhjet, por janë premtime që janë bërë prej kohësh.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Rama u shpreh se “këto janë të gjitha çështje dhe zotime që janë marrë denbabaden dhe nuk kanë asnjë lidhje me Kodin Zgjedhor e me zgjedhjet”.
“Mbi të gjitha për pensionistët që janë mbi të gjithë dhe që për një mijë e një arsye kanë dhënë më shumë nga të gjithë dhe nga gjithë kjo histori ndryshimi kanë marrë më pak nga të gjithë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se për pensionistët ky është një adresim në vazhdim i një problemi që ekziston si edhe më parë, por nuk ndjehet se qeveria shqiptare është aty në mbrojtje të gjithë konsumatorëve familjarë e bizneseve të vogla, problemi i çmimit të energjisë dhe inflacionit të luftës.
“Ne nuk mund tu themi pensionistëve që nga taksa e jashtëzakonshme që mblidhet tani në fund të marsit ju nuk mund të merrni gjë se janë ca zgjedhje vendore dhe do prisni 4 muaj, se kështu kanë vendosur së bashku partitë në ato kinezeritë e tyre për të bërë sisteme që janë të panjohura në botë. Ne i respektojmë ato kinezeri që i kemi bërë vetë, nuk ka asnjë diskutim, por kjo nuk mundet dot as t’i shkojë në mend njeriu se mund të na pengojë ne që të shpërblejmë pensionistët”, shtoi ai.
Rama tha se “kjo nuk na pengon ne të shpërblejmë pensionistët në kushtet kur për ata edhe 1 mijë lekë të reja plus janë të rëndësishme”.
“Do të të kemi një rritje të konsiderueshme të pagave tani. Plani është me dy hapa, një hap tani edhe një hap vitin e ardhshëm. Nuk jemi në kushte të zakonshme, por jemi në kushte të jashtëzakonshme. Nuk mund t’u themi njerëzve prisni edhe 4 muaj se kështu është puna. Do ta bëjmë tani dhe do të hedhim një hap tjetër vitin e ardhshëm dhe do të bëjmë një rritje pagash historike”, siguroi ai.