Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me Kryeministrin e Republikës së Sllovenisë, Robert Golob.
Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga takimi me Golob në Bled të Sllovenisë.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Slloveni, ku mori pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, projekt i qeverisë sllovene, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë dhe Qendra për Perspektivë Evropiane.
Kryeministri Rama ishte pjesë e Panelit të liderëve, i cili këtë vit kishte si temë diskutimi “Rregulli i pushtetit apo pushteti i sundimit. E ardhmja e BE dhe sistemi shumë palësh i marrëdhënieve ndërkombëtare” – ku liderë europianë, si presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, etj., do të diskutojnë lidhur me temën, nën moderimin e Ali Aslan, gazetar dhe prezantues programesh televizive në Gjermani.
Forumit iu adresua online edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Forumi zhvillohet çdo vit në fund të verës, si një platformë gjithëpërfshirëse me një pjesëmarrje të larmishme personalitetesh nga fusha e politikës, diplomacisë, ekonomisë, sektorit privat e publik dhe akademikë, të cilët mblidhen së bashku për të diskutuar sfidat kryesore në shekullin e 21-të.
Qëllimi i Forumit është të inkurajojë aktorët pjesëmarrës për të diskutuar dhe shkëmbyer mendime dhe për të gjetur zgjidhje novatore për sfidat rajonale dhe globale.