Kryeministri Edi Rama u prit sot në një takim në Madrid, nga kryeministri i Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sánchez, me të cilin nënshkroi edhe dy marrëveshje bashkëpunimi.
Kryeministri Rama dhe homologu spanjoll, Sánchez nënshkruan sot memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, për bashkëpunimin në çështjet e arsimit të lartë.
Po ashtu, dy kryeministrat nënshkruan edhe marrëveshjen shtesë të Konventës Evropiane për Ekstradimin, e vitit 1957.
Kjo është vizita e parë zyrtare e nivelit të lartë në Spanjë në historinë e marrëdhënieve dypalëshe.
Kryeministri Rama vlerësoi se kjo vizitë hap një faqe të re në këto marrëdhënie me potencial të lartë bashkëpunimi politik, ekonomik e kulturor mes Spanjës dhe Shqipërisë.