Kryeministri Edi Rama vizitoi sot ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në burgun Haaglenden në Hagë, ku ai ndodhet prej dhjetorit të vitit 2020.
Lidhur me këtë takim, Kryeministri Rama u shpreh se, “ishte një çmallje e nevojshme. Presidentin Thaçi e gjeta në top formë, i bindur mbase dhe më shumë se kur e kam takuar më parë se të vinte këtu, se kjo ishte një rrugë e pashmangshme për të provuar katërcipërisht përpara drejtësisë, pastërtinë e plotë të luftës çlirimtare dhe natyrisht edhe pastërtinë e idealit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, të udhëheqësve të UÇK-së. Nuk ka shumë për të thënë”.
“Natyrisht që të gjithë ne jemi të bindur se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe as nuk mund kurrsesi të futet në korniza të tjera, sepse ajo është tanimë e futur në kornizën e artë të heroizmit, sakrificave, e gjakut të dhënë dhe natyrisht e të gjitha përpjekjeve që kanë vijuar më tej në Kosovën e lirë dhe sovrane”, tha Rama.