Kryeministri Edi Rama ndodhet në Itali, ku zhvilloi sot një takim me Ministren e Universitetit dhe Kërkimeve, Maria Cristina Messa dhe rektorët e universiteteve të Romës dhe rajonit të Lazios, me qëllim rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e studimeve universitare, rritjen e shkëmbimeve mes stafeve akademike dhe bashkimin e programeve për diploma të dyfishta.
Në këtë takim u nënshkruan marrëveshjet për diploma të dyfishta midis Universitetit të Tuscia-s në Itali dhe universiteteve shqiptare: Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti Bujqësor, Universiteti Mesdhetar.
Marrëveshjet janë në fushën e biologjisë mjedisore (niveli bachelor) me Universitetin e Tiranës; Pyjeve dhe mjedisit për UBT; Inxhinierisë mekanike me UPT në nivel master dhe Marketingut me UMSH.
Marrëveshjet parashikojnë që studentët në këto programe të bëjnë një vit studime në Shqipëri dhe një vit në Itali. Në përfundim studentët do të marrin diploma të dyfishta.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, prof. Stefanno Ubertini, rektor i Universitetit të Tuscias dhe kreu i komitetit rajonal për koordinimin e universiteteve të Lacios, etj.
Kryeministri Rama në fjalën e tij theksoi se “jemi sot këtu me të gjithë ju që të mund të vazhdojmë përpjekjet tona për të krijuar sinergji, bashkëpunime të reja me sistemin univeristar italian dhe të hapim dyer të reja bashkëpunimi në emër të një ardhme të cilën kemi përgjegjësi ta bëjëm sa të më sigurtë që të jetë e mundur”.
“Më bëri përshtypje të mirë biseda që pata me rektorin, sepse munda të kuptoj menjëherë ngjashmëritë e shumta mes Shqipërisë dhe Italisë në këtë fushë, por me një periudhë kohe të ndryshme. Problemet që kemi ne sot përpara nesh me sa munda të kuptoj nga rektori kanë qenë të pranishme në sistemin universitar italian disa vite më parë”, nënvizoi Rama, duke shtuar se “ndërsa problemet që janë tani të pranishme për universitetet dhe botën e arsimit dhe edukimit në Itali, janë njëherësh edhe probleme të përbashkëta, duke nisur nga një problem që dihet në jug dhe qendër të Italisë, siç është problemi i ikjes së të rinjve drejt veriut të Italisë dhe drejt veriut të Evropës”.
Ndërkohë që, vijoi Rama, ajo që kemi të përbashkët është një sfidë shumë e rëndësishme.
“Do na duhet të kuptojmë dhe ta orientojmë këtë problem në një mënyrë racionale, me përgjegjshmëri, pa rënë në kurthin e politikave të së shkuarës, të cilat nuk kanë ndryshuar asgjë në situatë. Për ne tani është e rëndësishme të shohim dhe të shfrytëzojmë të gjitha hapësirat për të ndërkombëtarizuar më shumë universitetet tona, për t’u dhënë të rinjve shqiptarë, por edhe të rinjve të tjerë në rajonin tonë dhe pse jo, të rinjve italianë, pra, për t’u dhënë atyre mundësinë për të studiuar në Shqipëri dhe për të pasur në dispozicion programe dhe një cilësi të ngjashme me atë që kanë në Itali”, theksoi Rama.
Duke sjellë shembullin e Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, Kryeministri Rama tha se “kemi një shembull të veçantë dhe domethënës në Shqipëri, në Tiranë. Është shembulli i Universitetit të Zojës së Këshillit të Mirë, universitet ky, i cili u themelua vite më parë pas një kërkese të bërë nga Nënë Tereza dhe më pas me mbështetjen e Selisë së Shenjtë. Është ky një universitet, i cili na jep mundësinë të kuptojmë se si mund të lindin dhe se si mund të funksionojnë këto sinergji, këto bashkëpunime. Është një universitet i mirëfilltë italo-shqiptar, jo vetëm përsa i takon stafit akademik të vet, por edhe për sa u takon studentëve, studentët që janë një përzierje e pastër, e qartë e të rinjve italianë dhe shqiptarë, të cilët studiojnë së bashku dhe pastaj, në mënyrë individuale vendosin se si ta vazhdojnë më tej rrugëtimin e tyre”.
“Më duket më se e qartë që me universitetet italiane mund të shkohet përpara në këtë kuptim, duke filluar edhe nga fakti i thjeshtë që ekziston një lidhje e veçantë mes Italisë dhe Shqipërisë. Për shqiptarët në përgjithësi, Italia është le të themi, një pjesë e tokës së tyre, e ëndrrave të tyre, sepse sigurisht është një det që na ndan, është një histori që, jo gjithmonë na ka bashkuar, por ekziston një ndjesi shumë e qartë e thellë përkatësie e diçkaje të përbashkët dhe që është jashtëzakonisht shumë e afërt. E pra, pikërisht për këtë, në të gjitha nivelet, marrëdhënia me Italinë është një marrëdhënie tejet e veçantë. Sa i takon arsimit, ka shumë për të bërë dhe ka një potencial me të vërtetë shumë të madh”, tha Rama.
Pastaj, shtoi Kryeministri, sigurisht mes kësaj është edhe Europa, programet europiane që ne do donim t’i shfrytëzonim sa më mirë të ishte e mundur, duke përfituar edhe nga njohja e thellë që Italia ka për këto programe dhe duke përfituar edhe nga kapacitetet që Italia ka për të shfrytëzuar sa më mirë të jetë e mundur këto programe.
“Meqenëse këto programe janë edhe programe, të cilat lidhen me faktin e sinergjisë apo të bashkëpunimeve që mund të krijohen, atëherë pse të mos vazhdojmë më tej me më shumë vendosmëri për të krijuar dhe vendosur sinergji të tilla e për të përfituar së bashku prej tyre në mënyrë të ndërsjellët. Ne kemi shumë për të mësuar dhe jemi me të vërtetë shumë me fat që jemi kaq afër Italisë dhe nga ana tjetër, ndërkohë Italia ka këtë gatishmëri vëllazërore ndaj Shqipërisë, një gatishmëri për të na dhënë sa më shumë atë që është gjëja më e rëndësishme në rrugën e zhvillimit, njohurinë. Vendet tona dallojnë nga njëri-tjetri, jo për atë që kanë, por për atë që dinë. E pra, në këtë pikë do të na duhet të bëjmë të gjithë më shumë, por siç thashë më parë, ne jemi me të vërtetë me fat që ju jemi juve kaq afër e kaq të gatshëm që të mund të mësojmë më shumë e të mund të mësojmë edhe më shpejt”, nënvizoi Kryeministri.
Kreu i qeverisë u shpreh se “besoj se ekzistojnë premisat që të vazhdohet më tej me më shumë vendosmëri dhe më shpejt, ashtu sikur u tha këtu sot, ekzistojnë disa protokolle tashmë, ekzistojnë disa marrëveshje dhe sot do të firmosen marrëveshje të tjera, por ajo që është e rëndësishme është që të mund t’i vëmë këto marrëveshje, këto protokolle në dispozicion të profesorëve dhe të studentëve e të mos i lëmë ato thjeshtë në letër.
Ajo që është e rëndësishme është zbatimi i tyre dhe për të zbatuar të gjithë atë që ne nxjerrim në formë ligji, do të na duhet t’i japim më shumë pushtet, më shumë forcë të gjithë atyre që duhet të përfitojnë nga këto nënshkrime, nga këto ligje”.
“Në këtë rast, duhet t’i japim më shumë forcë e pushtet botës së universiteteve, profesorëve, lektorëve, studentëve, sepse në fund të fundit atyre do t’u duhet të zbatojnë atë që në ligj del, sepse nëse ligjet ne do t’i mbajmë peng, të gjitha dhomave apo kthinave, apo korridoreve, apo paragrafëve të ligjeve, atëherë nuk do të shërbejnë për asgjë”, tha Rama./ATA