Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipërisë i duhet një president normal, e kundërta e Ilir Metës.
Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama u ndal te fillimi i procesit të identifikimit të kandidaturës për presidentin apo presidenten e Republikës.
“Do t’ju ftoja të gjithë ju që përtej këtij procesi që nisim sot me propozimet e sekretuara të gjithësecilit, që do të administrohen nga komisioni përkatës, të vazhdojmë të jemi të gjithë aktivë në këtë proces për të dalë në konkluzione sa më të shëndetshme”, tha Rama.
Kryeministri tha se qëllimi është të arrijmë t’i ofrojmë Kuvendit dhe pastaj Republikës sonë një figurë dinjitoze për kreun e shtetit.
“Dhe A-ja, dhe Zh-ja, mes gjithë germave të tjera në përcaktimin e kësaj figure, duhet të jetë një njeri normal. Na duhet një njeri normal në krye të shtetit, na duhet një president normal. Dhe për të gjetur një kandidaturë të një njeriu normal duhet të nisemi nga e kundërta e Ilir Metës. Kërkoni të kundërtën e Ilir Metës dhe me siguri do të gjeni jo pak. Për të tjerat, për të gjetur kandidaturën më të përshtatshme mes një grupi kandidaturash me njerëz normal do të avancojmë në fazën tjetër”, shtoi Rama.
Rama tha se “për herë të parë Partia Socialiste ka mundësinë ta zgjedhë e vetme presidentin apo presidenten e Republikës, çka do të thotë se për herë të parë Partia Socialiste ka të gjithë përgjegjësinë për cilësinë e kandidaturës”.
“Natyrisht që në pamje të parë kjo duket një sfidë e lehtë, po të kemi parasysh që thuajse çdo kandidaturë që mund të plotësonte disa kritere fare elementare, si për shembull, njohjen e gjuhës shqipe, si për shembull pasjen e një karriere profesionale, si për shembull, vetëpërmbajtjen në raport me ligjin dhe me Kushtetutën, do të ishte më e mirë sesa Presidenti aktual i Republikës së Shqipërisë”, tha ai.
Nga ana tjetër, Rama tha se “ajo çka e bën këtë moment shumë përcaktues për karakterin, për ambicien dhe për profilin e Partisë Socialiste, është se nuk mjafton thjeshtë të zgjedhim një person që do të ishte më i përshtatshëm për atë rol sesa Ilir Meta, gjë që do ta përmbushnin si kriter 90 % e shqiptarëve”.
“Por është që të zgjedhim një figurë për të luajtur në 5 vitet e ardhshme rolin e kreut të shtetit, që të rrezatojë normalitetin, që të ketë integritet, që të garantojë respekt të ndërsjellë mes institucionit të Presidentit të Republikës dhe aleatëve tanë strategjikë, partnerëve tanë e miqve të Shqipërisë, që të sigurojë gjithashtu një nivel profesionalizmi në adresimin e të gjithë gamës së çështjeve që lidhen me presidentin e Republikës, sikundër dhe të përçojë një frymë përbashkuese për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përtej bindjeve të tyre politike, përtej të gjitha dallimeve të natyrshme mes tyre”, tha Kryeministri.
Këtu, sipas tij, “sfida vështirësohet dhe këtu përzgjedhja është shumë më e ngushtë sesa ç’do të ishte në sy të parë përzgjedhja e një pasuesi të presidentit më skandaloz që ka njohur historia e atij institucioni dhe praktikisht të presidentit më të papërsëritshëm në llojin e vet që Shqipëria ka pasur taksiratin të ketë mbi krye”.
“Këtu është rasti për ta përsëritur! Zgjedhja e Ilir Metës President ishte një zgjedhje me detyrim përcaktim për ne, që nuk i kishim votat për të zgjedhur presidentin e Republikës dhe që njëkohësisht gjendeshim në një kontekst politik të jashtëzakonshëm po të kemi parasysh se mungonte opozita zyrtare në sallë dhe nga ana tjetër vullneti dhe dëshira jonë ishte që zgjedhja jonë të binte mbi dikë që, në njëfarë mënyre, do të mund ta përfaqësonte edhe opozitën. Në ato kushte ne zgjodhëm një president për opozitën, por duke menduar aso kohe se do të ishte dhe një president për Shqipërinë natyrisht”, tha ai.
Sipas Ramës, “rrjedhja e ngjarjeve tregoi krejt të kundërtën për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe natyrisht i dha vendit një president i cili ishte shëmbëlltyra më e keqe e opozitës më të keqe që ky vend ka pasur qysh prej vitit 1991”.
“Sot jemi në kushte të tjera dhe sot jemi përballë një sfide që duhet ta shohim si një përgjegjësi shumë të madhe dhe jo si një mundësi të lehtë për t’i imponuar vendit një president apo një presidente që thjesht dhe vetëm do të përmbushte me sukses gjysmën e kornizës politike të Shqipërisë, duke qenë faktikisht një figurë tërësisht e ngjyrosur politikisht. Nuk është kjo që na duhet dhe nuk është kjo që duam të bëjmë”, tha Kryeministri.
Rama shtoi se: “Ajo që duhet të bëjmë është që të bëjmë një sforco të përbashkët duke i hapur rrugë ideve, sugjerimeve, propozimeve të gjithsecilit dhe gjithsecilës këtu, në një proces konfidencial, në sensin që ne nuk mund të bëjmë një diskutim të hapur në këtë fazë dhe të hedhim emra që pastaj bëhen mish për topat e medieve dhe të llafeve e të thashethemeve, por duhet të bëjmë një proces që të jetë në respekt të atyre njerëzve që për një arsye apo për një tjetër do të përfshihen në këtë rezervuar po themi burimesh, ku pastaj do të identifikojmë kandidaturën më të përshtatshmit”.
Ai tha se “procesi nuk mund të mbetet i mbyllur vetëm brenda grupit parlamentar dhe për këtë arsye ne kemi edhe komision të përbërë nga kryetari i grupit, nga ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin dhe nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste për të komunikuar edhe me pjesët e tjera të Kuvendit të Shqipërisë, por për të hapur një kanal edhe me publikun, gjë që tanimë është bërë duke i dhënë të gjithëve mundësinë që të bëjmë propozimet e tyre”.
Rama tha se “është jashtëzakonisht e rëndësishme që Partia Socialiste të dalë faqebardhë nga ky proces dhe të mos kthejë kokën mbrapa, dhe të mos jetë e detyruar të përballet çdo ditë me fatalitetin e një zgjedhjeje që në rastin e Ilir Metës ishte një zgjedhje me detyrim-përcaktim, por sidoqoftë na u desh të përballemi për një kohë të gjatë me fatalitetin e asaj zgjedhjeje”.
“Ndërkohë që këtë herë nuk na falet në asnjë mënyrë që të bëjmë një zgjedhje me të cilën të përballemi si një fatalitet pastaj për Republikën, për institucionin e për të gjitha. Siç thotë populli i vjetër dhe i lavdishëm kinez, “një mendje, hiç mendje; dy mendje, gjysmë mendje; tre mendje, një mendje”, është shumë e rëndësishme që të gjithë që janë këtu ta kuptojnë që nxjerrja e një kandidature nuk mund të jetë dot e suksesshme nëse është një mendje apo dy mendje, por duke mbledhur të gjitha mendjet dhe duke parë në fund se ku na çon procesi”, tha ai.
Kryeministri shtoi se “ky proces duhet të jetë konfidencial”.
“Siç e bëmë këtu dhe siç do ta përsërisim mbase, po të jetë nevoja edhe në kryesinë e partisë me një grup më të vogël kandidaturash, për shkak se ne nuk mund të marrim nëpër gojë gjithë dynjanë publikisht, dhe nga ana tjetër, ne e dimë shumë mirë që nëse këtu flasim qoftë edhe pa kamera, prapë fjalët marrin dhenë, përderisa flitet për emra. Nuk na e ka borxh askush që të fillojmë të diskutojmë, “jo, po mua më pëlqen ky, mua më pëlqen ai, po sikur të jetë ajo”. Kështu që, në respekt të gjithë emrave që secili ka në mend apo dëshiron të propozojë, por edhe për të pasur sa më shumë pjesëmarrje në proces, ne besoj se po bëjmë gjënë e duhur”, tha Rama.
Ai siguroi se “ky proces është 100 % real, i vërtetë, serioz, sepse të gjithë së bashku dhe unë në krye, sepse unë e kam nderin më të madh këtu nga të gjithë ju, kemi një përgjegjësi shumë të madhe”.
“Askush nuk mund ta mbajë dot këtë përgjegjësi vetëm dhe ndërkohë, të gjithë deputetët duhet të ndjehen pjesë e procesit realisht, dhe në fund vota të vijë si rezultat i një procesi ku edhe nëse nuk je 100 % i bindur që kjo është zgjedhja e duhur, prapë ke bindjen që përderisa ka një konsensus të brendshëm rreth një kandidature, kjo është gjëja që duhet bërë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Duhet të shohim edhe mundësinë që të hyjmë në raundet e para me më shumë se një kandidaturë. Nuk ka asnjë arsye pse jo, në rast se gjendemi në kushtet kur kemi më shumë se një kandidaturë që na duket e arsyeshme dhe asnjëra nuk na duket plotësisht konsensuale. Të gjitha këto do t’i shikojmë në proces”, tha Rama.
“Ajo që mbetet është që Taulanti me ministren dhe sekretarin e përgjithshëm të bëjnë pjesën tjetër të procesit me pjesët e tjera të Kuvendit, duke ofruar të gjithë disponibilitetin, dhe nëse patjetër do kemi propozime të arsyeshme prej tyre, nuk kemi asnjë arsye pse të mos i marrim në konsideratë. Përkundrazi, ne nuk na duhet një president për PS-në, ne na duhet një president për Shqipërinë dhe PS ka detyrimin që t’i japë Shqipërisë një president që edhe ata të cilët nuk e kanë votuar, apo partitë e të cilëve nuk e kanë votuar, në rast se nuk e votojnë, të ndjehen minimalisht të qetë se kanë një njeri normal aty. Është shumë e rëndësishme kjo, sado e çuditshme duket, se normalisht presidenti gjëja e parë që duhet të plotësojë është të jetë njeri normal. Mirëpo kemi pasur probleme me normalitetin e presidentëve të fundit, por sidomos me këtë të fundit, kemi realisht thyer një nga ato rekordet e anormalitetit”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “përfshirja e të gjithëve do jetë shumë pozitive në vazhdim dhe natyrisht, ky është një proces i hapur”.
“Nëse ka për të shtuar, unë i kam kërkuar ministrave që përtej propozimeve të tyre si deputet, këtu të sjellin përsëri konfidencialisht edhe propozime të mundshme që vijnë nga fushat që ata drejtojnë, gjë që mund ta bëni të gjithë ju, nëse 3 emrat që sot keni shkuar nuk mjaftojnë dhe mbase një emër tjetër del. Tani do shikojmë si do ta çojmë procesin në fazën ku do të konsultojmë me të gjithë ju kandidatura të caktuara. Kjo është pjesë delikate, pikërisht për atë që thashë, më shumë se për çdo gjë tjetër, për të ruajtur nga thashethemet, nga sulmet dhe marrëzitë njerëzit që përfshihen me dëshirë të mirë nga gjithsecili, si emra”, shtoi Rama.