Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me ngjarjen e zbardhur nga Policia e Shtetit për vjedhjen e ndodhur në një banesë në Rrugën e Kosovarëve në Tiranë nga shtetasit me iniciale R. D. dhe H. D. përkatësisht, nënë e bir.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia, nga provat e siguruara në kuadër të operacionit “Inside”, rezultoi se gjatë periudhës që shtetasja R. D. ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e një banese në Rrugën e Kosovarëve, në bashkëpunim me shtetasin H. D. (djali i saj), ka vjedhur në këtë banesë, shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, të cilat arrijnë në vlerë totale, rreth 120 mijë euro.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë (aksesorë floriri), 3 automjete, 2 prej tyre të blera nga paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie.
Në një postim në Twitter, Rama shprehet se reforma në drejtësi bëhet për të pastruar “llumin”.
“Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit”, thekson Kryeministri.
Gjithashtu, Rama shprehet se kur faktet tregojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, duhet t’u shkohet deri në fund këtyre historive.
“E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë! Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë”, deklaron Kreu i Ekzekutivit.
Policia bëri me dije se në vijim të këtij operacioni, në shtëpinë e dy të arrestuarve gjetën të fshehura në tubin e aspirimit, 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.